Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e sotme vendimin absurd të Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit dhe të Apelit, ndaj qytetarit Kujtim Huqi. Ky i fundit tregon se në vitin 2012, ka ndërtuar një shtëpi dhe për këtë i duhej një firmë ndërtimi e licencuar, që do të realizonte punimet.
Ai lidhet me firmën e ndërtimit “Qypi sh.p.k”. Me këtë firmë, z. Kujtim Huqi ka nënshkruar një kontratë noteriale, ku thuhet që punimet do të kryhen nga kjo kompani, dhe do të paguhen vetëm për hakun e punës. Ndërsa bazën materiale, Kujtim Huqi do ta blejë vetë. Pas ndërtimit të banesës, z. Huqi i shlyen firmës “Qypi” detyrimet për hakun e punës përmes bankës.
Pas 4 vjetësh, firma e ndërtimit pretendon se Kujtim Huqi nuk ka paguar bazën materiale, dhe për të përligjur këtë pretendim, falsifikon 3 fatura tatimore.
Kujtim Huqi: Gjykoj dhe mendoj që është me të vërtetë një rast flagrant në drejtësinë tonë shqiptare. Kam ndërtuar një objekt, shtëpi banimi në vitin 2012. Kam filluar ndërtimin me një firmë ndërtuese, sepse kur prezantohet dokumentacioni në Bashki, duhet të ketë një kontratë me firmën e ndërtimit.
Gjë të cilën, me një kontratë noteriale, e kemi përpiluar dhe thuhet fare thjeshtë: Firma e ndërtimit ka për detyrë të bëjë vetëm muraturën, suvanë dhe betonin. Ndërsa investitori ka për detyrë të financojë objektin e tij.
Ndërtuesi merr përsipër të ndërtojë këtë sipërfaqe ndërtimi me proceset e betorname, suva dhe muraturë. Për kaq është kontrata. Detyrimi është fare i thjeshtë dhe janë që të dy palët që kanë rënë dakord që investitori do bëjë pagesën, dhe do paguajë gjithë faturat financiare përse i përket blerjes së materialit. Ndërsa firma ndërtuese do të bëjë ndërtimin e 197 metrave katrorë me vlerën 12.5 milionë Lekë të vjetra.
Gjë e cila është paguar nga ana ime me fatura. Pas 4 viteve, kjo firmë ndërtimi ngre një kërkesë-padi ku kërkon nëse vlera e investimit tim kushtonte 36 milionë Lekë të vjetra, firma e ndërtimit 12.5 milionë Lekë i kishte marrë me fatura bankare nga ana ime, vetëm për hakun e punimeve dhe materialet unë i kisha të blera.
Çështja shkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit, por seancat u ndërprenë pasi z.Kujtim Huqi kishte bërë denoncim në Prokurori ndaj firmës për falsifikim të faturave tatimore.
Prokuroria e Durrësit zbuloi këtë falsifikim, dhe kërkoi dënimin me burg për administratorin e firmës. Gjykata e dënoi me 6 muaj burgim, ndërsa administratori pranoi se kishte kryer falsifikimin, pasi u aplikua gjykimi i shkurtuar dhe nuk apeloi vendimin, duke marrë kështu formë të prerë.
Kujtim Huqi: Kur shikoj dhe dëgjoj kërkesë-padinë se çfarë kërkon pala tjetër, ishte e pabesueshme dhe qesharake. Ka sjellë 3 fatura tatimore, dhe unë për këto 3 fatura tatimore bëj kallëzim penal në Prokurori. Dhe Prokuroria merr vendimin e duhur, duke dënuar këtë person për falsifikator. Gjykata kishte vendosur dhe vetë personi e ka pranuar fajësinë ku është bërë me gjykim të shkurtuar, dhe mbi të gjitha nëse do kishte paqartësi apo padrejtësi, do të bënte ankimimin. E ka pranuar dhe kjo është mbyllur. Ka marrë formë të prerë. Personi i cili kërkon këtë shumë të padrejtë, dënohet për këtë punë me një vendim penal. Gjyqtari vazhdon seancën më tej dhe përfundimisht e mbyll duke i dhënë të drejtë atij personi që kishte bërë këto falsifikime. Si ka mundësi?
Pavarësisht këtij vendimi, gjyqtari Vladimir Skënderi që po gjykonte çështjen civile për firmën e cila kërkonte paratë e bazës materiale, i ngarkon një gjobë prej 9 milionë Lekësh të vjetra Kujtim Huqi. Gjyqtari Vladimir Skënderi, pa marrë parasysh vendimin e formës së prerë që administratori i firmës “Qypi shpk” u dënua për falsifikim të faturave tatimore, i jep të drejtë këtij të fundit.
Gjyqtari Vladimir Skënderi: Si je?
Qytetari: Si kalove ti? Mirë?
Gjyqtari Vladimir Skënderi: E mo, si je?
Qytetari: Thjesht më habit fakti, që nuk u mor asnjë gjë parasysh edhe me një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Shkallës Parë, çështje penale. I padituri më paditi për këtë lloj shume, të cilën unë e kam likujduar në totalisht me deklarata, me të gjithë?
Gjyqtari Vladimir Skënderi: Dhe tani pse ke ardhur…edhe për pakënaqësinë, që ke ti, që thua për vendimmarrjen. Në qoftë se je i pakënaqur me vendimmarrjen time, vetëm në Apel edhe në Gjykatë të Lartë mund ta ndryshosh vendimin tim! Gjithë të mirat! Kalofsh mirë!
Z. Kujtim Huqi këtë vendim absurd nuk mund ta pranonte dhe çështjen e apeloi. Gjykata e Apelit në Durrës, jo vetëm që nuk e anuloi vendimin e Shkallës së Parë, por e rëndoi akoma më shumë situatën. Gjyqtari Tritan Hamitaj vendosi të rriste gjobë në 23 milionë Lekë të vjetra. Pas këtij vendimi të papranueshëm, që merr dhe formë të prerë, z.Kujtim Huqi thotë se kjo situatë e ka vendosur në vështirësi.
Kujtim Huqi: Vendimi i Shkallës së Apelit më groposi mua, groposi familjen time. Me 9 milionë Lekë të vjetra që Gjykata e Shkallës së Parë dha, më mirë të isha pajtuar me këtë gjykim se sa kur mora hapin e gabuar duke e çuar në Apel, duke menduar që ka drejtësi. Duke qenë një treshe gjyqtarësh ku do merrnin vendimin e duhur. Më groposën totalisht. Shuma shkoi në 23 milionë, plus detyrimet e shpenzimeve, plus kamatëvonesa pa asnjë ekspert kontabël që të bëjë vlerësimin e kësaj shume. Si e llogariti ky gjyqtar këtë lloj shume? /tvklan.al