Nexhmije Hoxha/ Viti 1991 ka qenë viti më i keq në jetën time politike dhe familjare. Gjatë gjithë këtij viti përjetova situata mjaft të rënda, që na u krijuan nga sulmet, përndjekjet dhe aktet çnjerëzore e antiligjore, që u ndërmorën ndaj meje dhe familjes së Enver Hoxhës.
Forcat e reja opozitare, që kishin dalë, tashmë, në skenën politike dhe kishin në gjirin e tyre edhe shtresa të prapambetura të shoqërisë, ndiqnin “strategjinë e rrugës”, zbatonin kanunin dhe hakmarrjen, nxitën agresivitetin e PD-së. Kjo parti e re filloi të zbulojë fytyrën e saj të vërtetë, reaksionare, duke ndërmarrë veprime të dhunshme, shkatërrimtare kundër pasurisë kombëtare të së kaluarës.
Dukej sheshit prirja e kësaj partie për konfliktualitet dhe sidomos për akte banditeske. Tashmë, me nxitjen edhe të kësaj partie, në vend po merrnin përhapje të gjerë veprimet anarkiste, radikale, rritja e krimit, e paligjshmërisë, e përplasjeve me forcat e rendit etj.
Sigurisht, për këtë kanë bërë punën e tyre edhe forca të huaja, të interesuara për destabilizimin e Shqipërisë. Të huajt që morën kontakt me liderët e PD-së dhe të partive të tjera, ishin frymëzuesit, nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të këtyre akteve antikomuniste, antishqiptare, aspak demokratike. Pa dyshim që për këtë kontribuuan edhe disa elementë të emigracionit politik shqiptar, edhe struktura dhe përfaqësues zyrtarë të vendeve të caktuara, që, në emër të luftës kundër komunizmit, kërkonin ta futnin vendin tonë në anarki dhe në kaos.
Por nuk mund të anashkalohet fakti se përgjegjësi të madhe për degradimin e PD-së në një parti që vepronte përmes bandash, ka veçanërisht lideri i saj, Sali Berisha, i cili, me mentalitetin mesjetar të një kanunori dhe antishqiptari të mirëfilltë, do të fuste përçarjen në popull, do të bënte ndarjen krahinore të Shqipërisë dhe do ta vinte Veriun kundër Jugut. Nuk ka dyshim, që ai u shkaktoi dëme shumë të mëdha vendit dhe kombit, ndaj historia do ta dënojë siç e meriton.
Qysh në muajin janar filloi të ndihet tensionimi i situatës, si nga veprimet e Partisë Demokratike të sapokrijuar, por edhe nga studentët, të cilët po ndiheshin si të anashkaluar nga PD-ja.
Më 7 janar 1991, “Zëri i Amerikës” bënte fjalë për “grusht shteti” në Shqipëri, por, në të vërtetë, ishte një nxitje që të ndodhte një gjë e tillë. Më 8 shkurt 1991, Sindikata, gjoja e Pavarur, që lindi me përkrahjen e PD, shpalli greva, si grevën e urisë në minierën e Valiasit, të Tiranës, e cila bëri bujë dhe u kthye në vend pelegrinazhi të liderëve e intelektualëve të PD-së e të partive të tjera.
Në datat 9 e 10 shkurt ndodhën veprime të dhunshme pothuaj në të gjitha rrethet e Shqipërisë, sidomos në ato veriore, ku vepronin shërbime të huaja agjenturore, në radhë të parë, UDB-ja serbe. Ato synonin dhe nxitnin destabilitetin politik dhe shkatërrimin e ekonomisë së ngritur në shtetin socialist.
Nuk kishte ditë që të mos ndërmerreshin akte vandale, si thyerje të busteve të Enverit, të lapidarëve dhe varrezave të dëshmorëve, shkatërrim të muzeve të Luftës Nacionalçlirimtare. Sulmoheshin dhe dhunoheshin edhe veteranë të gjallë, për të ngjallur frikë e tmerr në popull. Nisën të digjen librari dhe biblioteka, si dhe librat e Enver Hoxhës, në rrugë e në sheshe, si autodafet e kohës së Hitlerit.
Dëme të mëdha iu shkaktuan vendit, kur, me vendim të Sali Berishës dhe të partisë së tij, u arrit të paralizohej gjithë ekonomia e vendit, duke mbyllur të gjitha minierat, fabrikat, uzinat e kombinatet. Me qëllim, ato u lanë në mëshirën e fatit, u shkatërruan, që t’u ulej vlera, për t’i zhvatur më pas vetë pushtetarët për pesë pare. Shumë objekte, makineri, mallra industriale dhe produkte ushqimore, deri edhe armë luftarake të ushtrisë dhe rezervat shtetërore, u grabitën nga vandalët dhe u shitën në tregun e zi. Po kështu, u bë me pasuritë bujqësore, u prishën kooperativat dhe ndërmarrjet bujqësore, plantacionet e agrumeve, të ullishtave, të vreshtave, u prenë masivisht pyjet etj. Mbetën në këmbë vetëm hidrocentralet, se ato nuk do të mund t’i bënin dot. U shkatërruan, gjithashtu, shkolla, konvikte, qendra shëndetësore, spitale, çerdhe dhe kopshte fëmijësh, kinema dhe shtëpi kulture, vetëm pse ishin “komuniste”. Shumë prej tyre “u zaptuan” dhe u përdorën për banesa nga ata që lanë shtëpi e katandi në fshatrat e malësitë e krahinave të ndryshme dhe që, të nxitur nga politika e mbrapshtë e lëvizjes kaotike demografike, u ngulën në qytetet e mëdha, në toka dhe prona të tjetërkujt, duke i emërtuar “tokë e xanun”.
Tensioni social e politik u rrit në një shkallë të tillë, sa vendi u pushtua nga kaosi dhe rrumpalla. Ishte një tension krejt i paarsyeshëm, i panevojshëm, por i nxitur nga “koka të nxehta” për pushtet, si Bajraktari i ri i Malësive, Sali Berisha, që u bë personi më i rrezikshëm që kanë njohur Shqipëria dhe kombi shqiptar. Ai u ndihmua edhe nga Gramoz Pashkoja, i rritur në të mirat e regjimit komunist, me nënë e babë komunistë, i cili shpalli “terapinë e shok-ut”, “kuotën zero” dhe “Çekun e bardhë”, apo parullën “Qeveria drejton, bota na ndihmon”. Saliu do të përdorte si kobure edhe Azem Hajdarin, i cili do të çirrej e do të hidhej në veprime banditeske, me thirrjet fashiste, si “komunistët në litar” etj.
Atë dimër të vështirë të viteve 1990-1991, me turbullira që po degjeneronin në anarki, udhëheqja e partisë sonë ndihej e shqetësuar për stabilitetin e vendit, për rendin dhe sigurinë, për rrezikun e shkatërrimit të pronës shoqërore, të atyre që ishin ngritur në sistemin e kaluar, si dhe për agravimin e problemeve dhe të vështirësive ekonomike të popullit. Po ashtu, në vëmendjen e saj ishte edhe rreziku i zhvillimeve dramatike sociale në vend, nisur edhe nga grevat, nga shkatërrimet masive që bëheshin kudo nga banda, që frymëzoheshin e nxiteshin nga ide dhe politika anarkiste. Frenimi dhe ndalimi i këtyre veprimeve ishte në rend të ditës. Siç thekson Ramiz Alia në librin e tij të fundit, “Rëndësi të veçantë kishte që të mënjanoheshin sidomos ekseset dhe konfrontimet, që mund të shkaktonin gjakderdhjen”.
Me kalimin e ditëve, studentët nisën të bënin thirrje për t’u hedhur në veprime konkrete kundër simboleve të regjimit komunist dhe të luftës partizane. Kërkesave të tyre ata i shtuan thirrjet për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga emërtimi i Universitetit, ndryshe do të kërkonin dorëheqjen e Qeverisë dhe do të futeshin në grevë urie. Kjo mund të krijonte tensione në vend, sepse paralajmëronte për acarime dhe për konflikte, ngaqë në popull ishin të shumtë ata që nuk donin që të prekeshin figura dhe vepra e Enver Hoxhës.
Unë, si bashkëshorte dhe bashkëluftëtare e Enverit, i ndiqja këto zhvillime me dhimbje të madhe në shpirt, aq më shumë, sepse, shikoja që edhe shokë të udhëheqjes, në heshtje, po përgatiteshin për të lëshuar pe në këtë drejtim.
Në këtë atmosferë të acaruar dhe tensioni, më 17 shkurt 1991, një grup studentësh të Universitetit të Tiranës, u mbyllën në klubin e Qytetit Studenti dhe shpallën grevën e urisë, me kërkesën për heqjen e emrit “Enver Hoxha” nga Universiteti i Tiranës.
Më 19 shkurt, Ramiz Alia mblodhi Plenumin e KQ për të diskutuar mbi këtë çështje. U bënë mjaft diskutime dhe u tha që të mbyllej Universiteti për një kohë dhe të shpërndaheshin studentët. Ky mendim u hodh poshtë, me arsyetimin se fryma e revoltës së këtyre studentëve do të përhapej tek të rinjtë e shkollave dhe tek të afërmit e tyre në të gjitha krahinat nga ishin. Ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, propozoi të bëhej ndarja e Universitetit të Tiranës, të shkëputej prej tij Fakulteti i Shkencave Shoqërore, i cili të mbante emrin e Enver Hoxhës.
Në fund u vendos që të mos pranohej kërkesa e studentëve. Por këta u ndezën më shumë. Greva e tyre u përdor për të krijuar trazira në Qytetin Studenti, për të grumbulluar turma qytetarësh, punëtorësh, nxënësish të shkollave të mesme, por edhe familjarë të grevistëve, që ishin të shqetësuar për bijtë e tyre. Këta u drejtoheshin familjeve me letra mallëngjyese dhe përbetime se do të qëndrojnë “deri në vdekje”, për realizimin e kërkesave të tyre për “Liri, demokraci” etj.
Ishte e sigurt që studentët mbështeteshin dhe nxiteshin nga forca brenda vendit, por edhe të jashtme, që kërkonin dhe punonin që gjendja në Shqipëri të acarohej dhe të tensionohej sa më shumë. Kjo u duk, kur më 20 shkurt studentët dhe turma që i pasonte, dolën nga Qyteti Studenti, zbritën në rrugën e Elbasanit dhe arritën te kryqëzimi afër RTSH, me synimin e qartë që të krijonin trazira. Turma tentoi të dilte në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, tek Kryeministria dhe te Selia e KQ të PPSH dhe, më tej, te Blloku i udhëheqësve. Por tek kryqëzimi i rrugëve të përmendura, studentët dhe mbështetësit e tyre u ndeshën me “murin” e forcave të rendit. Pas një ndeshjeje, me shkopinj gome e grushte, turma e demonstruesve, e drejtuar nga kunata e Gramoz Pashkos, aktorja Rajmonda Bulku, u spraps dhe mori rrugën prapa Kryeministrisë, për të dalë në Sheshin“Skënderbej”. Ndërkohë, një grup grash ishin grumbulluar para Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe kërkonin takim me kryetarin e Shtetit, Ramiz Alia.
Të gjitha këto ndodhën paraditen e 20 shkurtit 1991. Duke parë situatën, Ramiz Alia vendosi të mbledhë urgjent, në orën 12, Plenumin e KQ, qoftë edhe vetëm me anëtarët që ndodheshin në Tiranë ose afër saj, si nga Durrësi. Mbledhja thirrej për t’u njohur me situatat e krijuara, jashtëzakonisht të vështira, dhe për të ridiskutuar mbi vendimin ndaj kërkesës këmbëngulëse të studentëve për heqjen e emrit “Enver Hoxha” nga Universiteti.
Por gjatë mbledhjes, Plenumi u njoh me lajmin se turma që mbushi Sheshin “Skënderbej” ia doli të rrëzonte monumentin e Enver Hoxhës. Unë shtanga. Kalova çaste shumë të rënda. E pafuqishme dhe pa bërë asnjë fjalë, u largova nga mbledhja, me lot në sy dhe e dërrmuar në shpirt, sepse mendova që, me këtë akt vandal, sistemi socialist po merrte një goditje të madhe. Vajta drejt e në shtëpi, ku më rrethuan menjëherë fëmijët e mi, të cilët, shumë të dëshpëruar, qanin. Ndërsa unë përpiqesha ta mbaja veten. Pas asaj që ndodhi, ata kishin nevojë për mua, por edhe unë kisha edhe më shumë nevojë për mbështetjen e tyre, për më tepër, sepse ato ditë më munguan edhe shokët e miqtë, të cilët nuk u ndien as në telefon, as të më takonin e të bisedonin.
Ditën tjetër pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, në Tiranë, gjendja ime dhe e familjes u rëndua edhe më shumë, madje, na u rrezikua edhe jeta nga sulmet që nisën të ndërmarrin turmat ndaj meje dhe fëmijëve të mi, duke tentuar për ta grabitur dhe për ta djegur shtëpinë.
Megjithëse e tronditur, ruajta qetësinë, tregova vetëpërmbajtje dhe u kërkova në mënyrë kategorike oficerëve të shërbimit që ruanin shtëpinë, të mos përdornin kurrsesi armët, edhe sikur shtëpia të digjej. Shqetësimi im i madh ishte sigurimi i fëmijëve të mi dhe i familjeve të tyre. Unë u qëndroja pranë, sidomos të vegjëlve. Ishin orë të tmerrshme, pasi nuk dinim se ku të shkonim e ç’të bënim dhe se askush nga shokët e udhëheqjes nuk u interesua për atë që po kalonim.
Në ato momente aq të vështira, kur më duhej të mendoja për strehimin e familjes sime prej 15 vetash, ndihesha edhe më e trazuar nga thirrjet e parullat që hidheshin kundër meje, nga kërcënimet që më bëheshin, por edhe se më duhej të duroja edhe marrëzira të paimagjinueshme, kur dëgjoja fjalë se gjoja unë, Nexhmije Hoxha, paskam bërë grusht shteti…
Me gjithë ato që po kaloja, unë mendoja si e si të evitohej e keqja më e madhe që mund të ndodhte, ndonjë përplasje vëllavrasëse, ngaqë grupe komunistësh, qytetarësh, të rinjsh dhe veteranësh qenë ngritur e po kërkonin vënien në vend të monumentit të Enver Hoxhës. Si bashkëshorte e Enverit, unë guxova dhe arrita “ta mposht” zemërimin tim për aktin vandal të rrëzimit të monumentit, që nuk duhej të kishte ndodhur, dhe, si person politik dhe i përgjegjshëm para popullit dhe Atdheut, veprova me kurajë për të mos tensionuar situatën, dhe u tregova e gatshme të sqaroja dhe të qetësoja organizatorët e mitingjeve të ”Vullnetarëve të Enverit”.
Nuk po zgjatem këtu për peripecitë e nxjerrjes me dhunë, brenda disa orëve të familjarëve të mi nga apartamentet e tyre dhe sesi mua më lanë pa shtëpi, sepse për to flitet më pas në libër. Por dua të theksoj se në muajt në vazhdim të këtij viti jam përballur edhe me mjaft momente dhe situata të tjera të rënda dhe të dhimbshme.
Me keqardhje të madhe përjetova valën e dytë të eksodit masiv, të marsit 1991. Gjithashtu, do të ndiqja me shqetësim edhe zhvillimet shqetësuese në jetën e Partisë së Punës. Në situatat e reja të pluralizmit partiak, PPSH u përball me dorëheqjen e Ramiz Alisë nga drejtimi i saj. E prita me habi faktin që, në këtë rast, Ramizi as nuk shprehu ndonjë keqardhje për largimin e tij nga drejtimi i PPSH, por as nuk tha gjë për të ardhmen e saj. Edhe zëvendësimi i tij nga Xhelil Gjoni la një shije të hidhur tek komunistët, pasi kushdo po shikonte se sa poshtë po binte prestigji i Partisë së Punës me këtë zgjedhje.
E rëndë qe për mua edhe mbledhja e Plenumit të 10-të të KQ të PPSH, pasi për herë të parë në atë mbledhje e ndjeva veten sikur nuk isha më në “partinë time”, ku militova prej 50 vjetësh. Në raportin që u mbajt në këtë plenum, por edhe në diskutime, u vu re një qëndrim i dyzuar, një kundërvënie me ato që ishin thënë më parë në Parti, si për vetë PPSH-në, ashtu edhe për figurën dhe veprën e Enver Hoxhës.
Edhe zhvillimi i Kongresit të 10-të të PPSH më solli veç trazime. Ai qe krejt i ndryshëm nga të nëntë kongreset e mëparshme të Partisë. Pjesa më e madhe e delegatëve kishte mjaft rezerva për ato çka ishin bërë në parti dy vitet e fundit dhe nuk ishin dakord me ndryshimet që propozoheshin për “rinovimin” e Partisë dhe as me qëndrimet që po mbaheshin aty për figurën dhe veprën e Enver Hoxhës.
Edhe tani më vijnë ndër mend ato emocione të mëdha që ndjeva, kur mora fjalën për të diskutuar. Gjatë seancave të mëparshme kisha dëgjuar të flisnin kundër Enver Hoxhës edhe disa persona, të cilët, sa qe gjallë Enveri, e kishin ngritur në qiell, kurse tani lëshonin kundër tij një lum akuzash dhe kritikash. Po mohoheshin nga të ashtuquajtur komunistë një histori 50-vjeçare e lavdishme, atdhetare dhe emancipuese e Partisë së Punës dhe udhëheqësi i saj, Enver Hoxha. Për më keq, po tentohej t’i ndryshohej emri Partisë, gjë për të cilën unë shpreha mosmiratimin tim. E kisha të qartë: ky do të ishte kongresi i fundit i Partisë së Punës.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike, në Kuvendin që mbajti në shtator 1991, nuk do të mungonte të merrej përsëri me personin tim. Ajo kërkonte me insistim të hakmerrej ndaj meje, si bashkëshorte e Enver Hoxhës, dhe mundohej të krijonte bindjen dhe të përgatiste terrenin që unë të mos lihesha e qetë dhe e lirë. Lideri i PD-së, Sali Berisha, duke deklaruar në Kuvendin e PD-së se “Nexhmije Hoxha është e fuqishme”, në fakt, synonte t’i hapte rrugë thirrjes së hapur që PD-ja do të bënte në mitingun e tetorit 1991 për arrestimin tim. Madje, vetëm pas një muaji, po ky Sali Berishë do ta vinte arrestimin e Nexhmije Hoxhës si kusht për mbajtjen në këmbë të Qeverisë së Stabilitetit.
Nuk mjaftonin këto që po ndërmerrnin forcat antikomuniste ndaj meje, por në ato momente të rënda për mua, po më linin një shije të hidhur edhe disa qëndrime joetike të shokëve tanë. Më rëndoi në shpirt fakti që më 23 Nëntor, kur u organizua përkujtimi i përvjetorit të Themelimit të Rinisë Komuniste, mua nuk më ftuan, edhe pse kisha qenë e vetmja shoqe pjesëmarrëse në Mbledhjen Themeluese dhe e zgjedhur anëtare e KQ të Rinisë që në vitin 1941, në krah të Qemal Stafës. Në këtë veprimtari përkujtimore ishte i pranishëm edhe Ramiz Alia, por as ky nuk më kishte thënë gjë. E prekur nga kjo, vajta e takova Ramizin Alinë dhe i thashë përse ngjau kështu. Ai u justifikua, duke më thënë se atë veprimtari e kishte organizuar Liseni (Bashkurti, atëherë Sekretar i Parë i KQ të Bashkimit të Rinisë) dhe vetë Ramizi, kishte vajtur aty thjesht si i ftuar.
Me sa dukej, sulmet e forcave antikomuniste ndaj meje, këmbëngulja e tyre për hetimin dhe arrestimin tim po bënin punën e vet. Kjo këmbëngulje e tyre, mua nuk më habiste aspak. Unë, e qetë dhe e ndërgjegjshme se nuk kisha bërë asnjë krim dhe as ndonjë vepër penale, jo vetëm që iu përgjigja thirrjes për t’u paraqitur në hetuesi, por me kurajë dhe pa ulur kokën përballova edhe pafytyrësinë e shërbëtorëve të pushtetit që, për turpin e tyre, kryen në mënyrën më të ulët dhe befasisht arrestimin tim, drejt e nga seanca e hetuesisë, më 4 dhjetor 1991, thjesht për motive politike dhe vetëm pse isha bashkëshorte e Enver Hoxhës.
Me këtë veprim të padrejtë dhe hakmarrës, duke më çuar burg, në një qeli të sigurisë së lartë, në moshën 70-vjeçare, do të mbyllej për mua viti 1991, viti më i rëndë i jetës sime politike dhe personale.