Shumë historianë helenë suljotët i quajnë grekë. Teori të cilat qarkullojnë prej dhjetëra vitesh dhe janë të pabazuara historikisht. Fakti që pjesa më e madhe e tyre i përkisnin besimit ortodoks, fakti që historia e tyre bëri bujë në Greqi dy shekuj më parë, fakti që ata ishin burra trima që bënë histori dhe lanë një emër të pavdekshëm, raportet që ata krijuan me rusët dhe francezët, i ka bërë shumë të famshëm. Por krahina e Sulit është shqiptare dhe vetëm shqiptare. Dhe këtu na vijnë në ndihmë disa fakte të padiskutueshme.
Të gjithë studiuesit e huaj të asaj kohe vinin në dukje faktin që banorët e gjashtë fshatrave që përbënin Sulin, flisnin një gjuhë të çuditshme që nuk ishte greqisht, fakti që banorët e atyre zonave dinin vetëm shqip dhe mbi të gjitha hartimi i fjalorit të parë shqiptar nga Marko Boçari, hedhin poshtë të gjitha tezat e grekëve që shumë herë janë quajtur manipulatorë të historisë. Sepse fjalori u hartua pikërisht me qëllimin që të ndihmonin shqiptarët të mësonin greqisht. Vetë konsulli francez, Pukëvili, ka lënë dokumente ku shkruan se bëri përpjekje që suljotët të studionin greqisht dhe të merreshin vesh me grekët.
Pikërisht për të hedhur dritë mbi një figurë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare, na vjen në ndihmë historiani Arben Llalla. Në bazë të shumë dokumenteve historike, Marko Boçari lindi në Sul të Janinës më 1790, në një familje të dëgjuar që kishin dalë shumë burra trima si: Kiço Boçari, Kosta, Dhimitri, Jorgji dhe kapedani i madh i Kryengritjes të 1821, Noti Boçari, i cili ka lindur në Sul në vitin 1759. Ai është ministri i parë i Mbrojtjes i shtetit grek, dhe vdiq më 1841.
Që një pjesë e popullsisë së suljotëve janë çamë, këtë na e deklaron anglezi V.M. Lik: “Suljotët janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të Shqipërisë”.
Ndërsa studiuesi Ciapolini thotë: “Suljotët nuk dinin fare greqisht, gjuha që ata përdornin është shqipja e dialektit të Çamërisë”.
Suljoti Marko Boçari nuk ishte vetëm një nga heronjtë shqiptarë më të rëndësishëm, të Kryengritjes së vitit 1821, i njohur për aftësitë ushtarake dhe guximin e tij, por ai kishte një aftësi të madhe dhe një dëshirë të admirueshme për shkrim e këndim. Duke qenë se suljotët ishin të njohur për trimëri e një guxim të pashembullt në luftëra, ëndrra e Markos ishte që Suli të ishte i pavarur dhe të jetonte në një shoqëri të lirë e të drejtë. Shqiptarët e dëshironin edukimin arsimor, por pa rrezikun e tjetërsimit dhe bjerrjes së vlerave tradicionale e të bashkësisë.
Kur gjendej i internuar në Korfuz, Markoja mësoi greqishten dhe bëri të famshmin “Fjalorin dygjuhësh i greqishtes dhe shqipes së thjeshtë”(Λεξικον τις Ρομαικης και Αρβανιτικης απλησ), 1809, të cilin e shkroi vetë me ndihmën e babait të tij, Kiço Boçari (1754-1813), xhaxhait, Noti Boçari (1759-1841) dhe vjehrrit të tij, Kristaq Kallogjeri nga Preveza.
Përfundimi i këtij fjalori ishte i nxitjes së konsullit francez Pukëvili, siç pretendonte francezi vetë, përpjekje të mësojnë suliotët greqisht dhe të merren vesh me grekët.
Sido që të jetë puna, fakt është se kemi të bëjmë me një hero që ka shqetësime kulturore, që krijoi një vepër gjuhësore dhe kulturore, si rrjedhim, me të drejtë, Marko Boçari mund të quhet realizuesi i fjalorit të thjeshtë të parë greko-shqiptar.
Fjalori i Marko Boçarit lindi si pasojë dhe e ngjarjeve që po kalonte Greqia, ku mbas dorëzimit të armëve duhet t’i përshtateshin jetës civile shoqërore, që për ta ishte e vështirë.
Fjalori ka rëndësi të veçantë, se shpreh shumë elemente të gjuhës shqipe në dialektin e çamërishtes, ky fjalor shërbeu edhe si mjet politik për të afruar shqiptarët me grekët.
Një tjetër detyrim i lindjes së fjalorit greko-shqip ishte se tregtia në zona të gjera të Ballkanit bëhej në gjuhën greke. Kështu që lindi nevoja e një fjalori dygjuhësh, me qëllim që shqiptarët, në njëfarë mënyre ishin të detyruar të mësonin greqishten, që po fitonte terren si gjuhë e tregtisë në Ballkan.
Kështu gjuha shqipe mbeti një gjuhë e pastër kombëtare, që flitej vetëm nga populli i saj, duke ruajtur vjetërsinë dhe pastërtinë gjuhësore, por që nuk u zhvillua në shkrim apo të futeshin fjalë të reja që i përshtateshin zhvillimit shoqëror të kohës apo të njihej nga të huajt e shumtë që vizitonin Ballkanin në atë kohë të pushtimit osmano-turk. Marko Boçari, me një vullnet dhe guxim, në moshën 19-vjeçare na solli fjalorin e parë greko-shqip me titull origjinal “Λεξικον τις Ρομαικης και Αρβανιτικης απλησ” (Fjalori dygjuhësh greqisht dhe i shqipes së thjeshtë). Fjalori dygjuhësh përbëhej nga 111 faqe, 1494 fjalë shqipe, dhe 1701 fjalë greke. Origjinali i këtij fjalori gjendet sot në muzeun Kombëtar të Parisit me kodin Supplement Grec 251 numri 244 të faqes dhe u dhurua në maj të vitit 1819 nga konsulli Pukëvili.
Konsulli i Përgjithshëm francez në Janinë, Pukëvili, duke studiuar fjalorin e Marko Boçarit, hartoi një fjalor të vogël frëngjisht-shqip, me rreth 440 fjalë dhe origjinali i këtij fjalori gjendet në muzeun Kombëtar të Parisit.
Markoja, sipas historianit Llalla, ishte jo vetëm studiues i famshëm, hartues fjalori, por dhe një trim me merita të veçanta. Ai do të vritej më 9 gusht 1823, duke luftuar kundër ushtrisë së Mustafa Bushatit.
Vdekja Marko Boçarit u bë e njohur në të gjithë Evropën. Ai i kishte shkruajtur një letër Bajronit, kur ky ishte rrugës për në Mesollogji. Poeti i madh anglez, Lordi Bajron erdhi kur Marko Boçari kishte vdekur dhe mbajti një fjalim mbi varrin e tij, i veshur me kostumin e njohur kombëtar shqiptar. Marko Boçari vdiq, por figura e tij u bë legjendë.
Pas vdekjes së tij qeveritarët grekë i vunë zjarrin shtëpisë së Boçarëve, duke djegur shkresa shumë të vjetra, një arkiv i pasur i jetës së shqiptarëve.
Shumë historianë grekë e deklarojnë Marko Boçarin dhe shumë heronj të tjerë shqiptarë të Kryengritjes të 1821, si grekë dhe jo shqiptarë, duke pasur parasysh që Marko dhe të tjerë heronj të 1821, i përkisnin fesë ortodokse.
Që Marko Boçari ishte shqiptar dhe bir shqiptari, këtë na e deklaron, në vitin 1994, nipi i tij me të njëjtin emër Marko Boçari, profesor në Universitetin e Kuinslendit në Australi. Kur reagonte ashpër ndaj deklaratës së një deputeti grek që mohonte ndihmesën shqiptare në kryengritjen e 1821 dhe origjinën shqiptare të Marko Boçarit.
“Komentet e mia të mëposhtme kanë të bëjnë me një letër të publikuar të një ministri grek, që ka deklaruar se nuk paska shqiptarë në Greqi. Duket qartë se ministri ose nuk ka dijeni çfarë ndodh aktualisht në vendin e tij, ose ka vendosur të injorojë faktet. Është fakt se në Greqi ka më shumë se një milion shqiptarë ortodoksë. Prindërit e mi nuk kanë folur kurrë greqisht me mua, por vetëm shqip, se ata ishin krenarë për origjinën e tyre dhe fisin e tyre shqiptar.”
Bibliografi:
Revista, “EKSKLUZIVE”, Prishtinë, maj 2001.
Revista, “ESKLUZIVE”, Prishtinë, shkurt 2002.
ΜΑΡΚΟΥ ΜΠΟΤΣΑΡΗ, “Λεξικον της Ρωμαικης και Αρβανιτικης απλης”, Athinë, 1993, fq. 40, përgatiti për botim, ΤΙΤΟΣ ΓΙΟΧΑΛΑΣ
ΑΡΙΣΤΕΙΔΗ Π. ΚΟΛΛΑ, “ΑΡΒΑΝΙΤΕΣ ΚΑΙ Η ΚΑΤΑΓΩΓΗ ΤΩΝ ΕΛΛΗΝΩΝ”, ΑΘΗΝΑ, 1996.
Niko Gjini, “FJALOR GREQISHT-SHQIP”, Janinë, 1993
ΚΩΝΣΤΑΝΤΙΝΟΥ ΓΕΩΡ. ΠΑΠΑΦΙΛΙ, Fjalori “GREQISHT-SHQIP”, Athinë.
ΚΩΝΣΤΑΝΤΙΝΟΥ ΓΕΩΡ. ΠΑΠΑΦΙΛΙ, Fjalori “SHQIP-GREQISHT”, Athinë.
Kalendari i vitit 1990, “Αφιερομα στα 200 χρονια απο τη ζεννηση του ΜΑΡΚΟΥ ΜΠΟΤΣΑΡΗ
(1790-1990)”, Athinë, 1990, “Lidhja e Arvanitasve të Greqisë”.
Arben Llalla, “ESKLUZIVE”, Prishtinë, shkurt 2002, fq. 70.
ΜΑΡΚΟΥ ΜΠΟΤΣΑΡΗ, “Λεξικον της Ρωμαικης και Αρβανιτικης απλης”, Athinë, 1993, fq. 40, përgatiti për botim, ΤΙΤΟΣ ΓΙΟΧΑΛΑΣ.
Arben Llalla, “EKSKLUZIVE”, Prishtinë, shkurt 2002, fq. 72.
ΑΡΙΣΤΕΙΔΗ Π. ΚΟΛΛΑ, “ΑΡΒΑΝΙΤΕΣ ΚΑΙ Η ΚΑΤΑΓΩΓΗ ΤΩΝ ΕΛΛΗΝΩΝ”, ΑΘΗΝΑ, 1996, fq. 360.