Maria Antoneta, ishte mbretëresha e fundit e Francës, përpara se Revolucioni Francez të rrëzonte monarkinë. Me nofkën poshtëruese “Madam Defiçiti” të vënë nga publiku dhe armiqtë e saj në gjyq, stili lukzos i jetës së saj, simbolizoi ekstravagancën e pakontrolluar të elitës franceze, dhe çoi në ekzekutimin e saj brutal.
Por a ishte vërtet ajo mbretëresha tejet e privilegjuar dhe egoiste, joshëse, siç përshkruhej nga revolucionarët? Para se të martohej me trashëgimtarin e fronit francez, Maria Antoneta ishte një princeshë austriake. Ajo lindi si Maria Antonia Jozefa Johana, një fisnike nga dera aristokrate e Habsburgëve, rivalët e vjetër të Bourbonëve në Francë.
Si shumë martesa mbretërore të kohës, lidhja e Maria Antonetës me mbretin e ardhshëm francez Luigj August, u realizua për përfitime politike. Martesa ishte vepër e nënës së saj, perandoreshës së famshme austriake, Maria Terezës. Kjo e fundit, e realizoi këtë bashkim, për të zbutur armiqësinë e gjatë midis Francës dhe Austrisë, dhe kryesisht si një mjet për të shkatërruar fuqinë në rritje të Prusisë dhe Britanisë së Madhe
Pasi u martua me Lugj Augustin më 16 maj 1470, kur ishte vetëm 14-vjeçe, ajo e ndryshoi emrin në stilin francez. Katër vjet më vonë, burri i saj 19-vjeçar u bë mbret i Francës, dhe ajo mbretëreshë. Me gjithë afrimimetin që krijuan, martesa e tyre pati një fillim të vështirë, pasi u përhap lajmi se nata e parë e martesës kishte qenë një katastrofë.
Do të duhej të kalonin 7 vjet, para se të dy të kryenin një marrëdhënie të plotë seksuale. Mbreti vuante nga fimozis, një sëmundje që i shkaktonte ereksione të dhimbshme. Në këto kushte, e reja Maria Antoneta e ktheu vëmendjen ndaj mbrëmjeve mundane, dhe sipas thashethemeve të oborrit edhe ndaj burrave të tjerë.
Por situata e tensionuar në dhomën e gjumit, nuk ishte vetëm një çështje e brendshme. Për Maria Terezën, kjo mund t’i kushtonte politikisht familjes së saj. Ndaj dërgoi në Paris vëllanë e Antonetës, Perandorin e Shenjtë Romak Jozefi II. Ky udhëtoi nën emrin e rremë, Konti i Falkenshtajn, që të shmangte protokollet mbretërore.
Para kthimit në Austri, Jozefi II i dha çiftit disa këshilla shumë të nevojshme:Maria duhej të ishte më e dashur me burrin e saj, dhe Luigji XVI duhet t’i nënshtrohej një operacioni të thjeshtë, për të rregulluar gjërat në dhomën e gjumit. Fjalët e tij patën efekt:Një vit më vonë, Maria Antoneta lindi fëmijën e saj të parë, princeshën e vogël Maria Tereza Sharlota.
Mbretëresha do të lindte gjithësej 4 fëmijë, por vetëm njëri mbijetoi deri në moshën madhore. Pavarësisht kësaj, Maria Antoneta dhe Mbreti Luigji XVI ishin më shumë miq, sesa një çift i martuar. Ajo kalonte më shumë kohë me rrethin e saj të ngushtë në oborrin mbretëror sesa me bashkëshortin. Dhe kjo pjesërisht edhe sepse ata kishin karaktere të kundërta.
Ndërsa Maria ishte natyrë e qeshur por edhe zemërohej shpejt, mbreti ishte shumë më serioz dhe më i përmbajtur. Ajo ishte në qendër të vëmendjes, duke organizuar mbrëmje që zgjasnin deri në agim dhe i harxhuar me shpejtësi paratë e monarkisë. Ndërkohë, Luigji ishte i talentuar në shkenca dhe gjuhë.
Ndërsa arkat e mbretërisë zbrazeshin, kostoja e bukës në vend u rrit. Por kjo gjë nuk frenoi shpenzimet e Maria Antoinetës. Ajo harxhoi shuma marramendëse në veshje luksoze, këpucë, paruke dhe bizhuteri – kryesisht diamante dhe perla – vetëm për qejfin e saj. Ajo harxhoi gjithashtu shuma të mëdha parash edhe në pasuri të paluajtshme. Ajo rikonstruktoi plotësisht ‘Petit Trianon’, një vilë 3-katëshe modeste pushimi pranë Versajës, që ishte ndërtuar dikur nga gjyshi i burrit të saj.
Ajo kreu disa rinovime edhe në dhomat e saj private në Pallatin e Versajës, të cilat ajo i veshi me një luks përrallor me ar, mermer dhe bronz. Që para se mbreti Luigji XVI të ngjitej në fron, Franca po zhytej në një recesion ekonomik. Kjo shtoi antipatinë e popullit ndaj mbreterëshës.
Qytetarët francezë, nisën ta urrenin mbretëreshën e huaj nga Austria, me të cilën Franca kishte një histori armiqësore, dhe tani ata kishin një arsye më shumë për të akuzuar atë për mosmirënjohje. Një nga kritiket më të guximshme ndaj mbretëreshës në oborrin mbretëror ishte Maria Adelaide, halla e Luigjit XVI, që e thërriste mbretëreshën si “Gruaja Austriake”.
Ajo ftonte shpesh në takime private anëtarët anti-austriakë të oborrit, ku lexoheshin me zë të lartë poezi satirike kundër Maria Antonetës. Përballë kësaj situate, Maria Antoneta jetonte e izoluar në Trianon me princeshën dë Lambële, Dukeshën e Polinjak, dhe të dashurin e saj të shumëpërfolur, Kontin suedez Aksel von Fersen.
Mosrespektimi prej saj i protokollit mbretëror, dhe këmbëngulja për luksin e shfrenuar, e bënë atë një shënjestër të lehtë për revolucionarët. Këta të fundit publikonin edhe karikatura pornografike të ngjarjeve skandaloze, që thuhej se ndodhnin në apartamentet e saj në Versajë.
Por të gjitha thashethemet mbi mbretëreshën, çuan përfundimisht në një nga gabimet më të famshme në histori. Pasi ajo mësoi se populli ishte shumë i varfër për të blerë bukë, Maria pretendohet se ka thënë me ironi “Epo le të hanë tortë!”. Por ato fjalë me siguri që nuk janë shqiptar nga mbretëresha. Ekzistojnë shumë teori, lidhur me origjinën e kësaj fraze.
Sipas historianes Antonia Frejzër, që ka shkruar një biografi mbi mbretëreshën Maria Antoneta, ky citat ka më shumë të ngjarë të jetë shqiptuar nga princesha spanjolle Maria Tereza, që ishte martuar në gjirin e monarkisë franceze shumë kohë para ardhjes së Maria Antonetës.
Shumë studiues, hipotetizojnë se fjalët tallëse iu atribuan fiktivisht Maria Antoinetës, për të ndezur revolucionin kundër monarkisë franceze. Pavarësisht të gjithave, një gjë është e qartë: nuk ka asnjë provë me shkrim ose me gojë, që dikush të ketë parë a dëgjuar vërtet mbretëreshën të thoshte ato fjalë.
Në fakt, ndjenjat e vërteta të Maria Antonetës mund të ishin krejt të kundërta. Në një letër drejtuar nënës së saj, gjatë kohës së zisë së bukës në Francë, ajo shkruante: “Është e sigurt, që kur i shohim njerëzit të na trajtojnë aq mirë pavarësisht problemeve që kanë, ne jemi më të detyruar më shumë se kurrë më parë të punojmë më tepër për lumturinë e tyre”. Por situata e rënduar, u përshkallëzua në një kërkesë për rrëzimin e monarkisë franceze.
Më 14 korrik 1789, rreth 900 punëtorë dhe fshatarë parisienë, morën situatën në duart e tyre. Ata sulmuan burgun e Bastijës, për të marrë armë dhe municione. Përkundër këshillës së Maria Antonetës, mbreti Luigji XVI nuk pranoi të dërgojë ushtrinë që të shtypte kryengritjen. Kështu nisi Revolucioni Francez. Republika e Parë Franceze u shpall më 22 shtator 1792. Në janar, mbreti u ekzekutua me prerje koke, pasi u shpall fajtor për tradhti. Të njëjtin fat pati një vit më vonë, në tetor 1793 edhe Maria Antoneta. /TIRANA TODAY