FC Basel nuk ka arritur ti rezistojë artilerisë së rëndë të Manchester Cityt, të cilët kanë shkatërruar në shtëpi zviceranët me rezultatin e thellë 4-0. Skuadra e Pep Guardiola-s është 99% në çerekfinale me rezultatin e sotëm, me një Basel që asnjëherë nuk e vuri në vështirësi kundërshtarin megjithëse luante në fushën e tij.
City-t i duheshin vetëm 14’ minuta për të kaluar në avantazh me golin e Ilkay Gundogan, dhe që nga ai moment kishte vetëm një ekip në fushë.
Skuadra e Guardiola-s sundoi në Zvicër dhe shënoi edhe dy gola të tjerë brenda 10 minutave. Në fillim ishte Bernardo Silva dhe më pas Sergio Aguero me një goditje fantastike në hyrje të zonës.
Në pjesën e dytë Guardiola do të ulë në stol disa nga yjet e ekipit, për ti pasur më të freskët për ndeshjet e radhës, teksa me kalimin e minutave ai nxori nga loja Sterling, De Bruyne dhe në fund fare Aguero.
Por jo përpara se Gundogan të kompletonte dipietën e tij në minutën e 53’ duke mbyllur përfundimisht ndeshjen. Ndërsa në ndeshjen e kthimit pritet që “qytetarët” të mos kenë një impenjim kaq të madh, pasi me një rezultat të tillë gjithçka është më e thjeshtë.