Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar sot punimet për ndërtimin e maternitetit të ri të Beratit.
Qeveria shqiptare ka investuar 216 milion lekë për këtë projekt, i cili pritet të përfundojë brenda 14 muajve.
“Është një premtim i mbajtur i qeverisë, i vetë Kryeministrit Rama dhe jam shumë e kënaqur që punimet kanë avancuar dhe do t’i kthejmë Beratit një investim të munguar, që do të ketë vlerë të shtuar jo vetëm nga pikëpamja e infrastrukturës, por edhe sa i takon të gjithë pajisjeve që ne po planifikojmë të sjellim në këtë maternitet, që do të sigurojnë një standard të ri shërbimi për mjekët dhe infermierët dhe mbi të gjitha do t’i ofrojmë nënave dhe bebeve të porsalindura kushte shumë të mira të kujdesit shëndetësor”, tha Manastirliu.
Projekti parashikon rikonstruksionin e katit të parë, zgjerimin e godinës ekzistuese dhe shtesën e katit të dytë. Materniteti do të ketë 40 shtretër që do t’u shërbejnë jo vetëm banorëve të Beratit por edhe zonave përreth.