Një 35-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident të ndodhur pak pas mesnate, në periferi të Arezos në Itali.
Viktima identifikohet si Shpëtim Halili, i cili po udhëtonte rreth orës 00:24 me motorin e tij përgjatë rrugës SR71 pranë Sitornit. Në kanalin buzë rrugës u gjet skuteri i shqiptarit ndërsa 30 metra më tej është gjetur trupi i 35-vjeçarit me plagë të rëndë në trup nga goditjet e makinës.
Mbetet ende e paqartë nëse shqiptari është rrëzuar fillimisht nga motori i tij, apo është goditur nga ‘Fiati 500 L’ ngjyrë jeshile, që drejtohej nga një grua e re.
Sipas mediave vendase, gruaja në fjalë ka ndaluar menjëherë pas aksidentit dhe ka njoftuar autoritetet, ndërsa u gjet pranë trupit të pajetë të shqiptari duke thirrur: ‘Nuk lëviz, është i vdekur’.
Edhe pse në ndihmë i kanë ardhur mjekët e urgjencës, shqiptari nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
Mësohet se në dëshminë e saj gruaja ka deklaruar se nuk kishte parë gjë, vetëm kishte ndjerë që trupi i shqiptarit ishte futur poshtë rrotave të makinës.