Plot 480 mijë nxënës të sistemit parauniversitar nisën mëngjesin e së hënës vitin e ri shkollor. Por klasa politike ka zhvendosur sherret e akuzat nga Kuvendi, tek fëmijët. Edhe sot ata kanë “luftuar” duke nxirë njëri-tjetrin, lidhur me paaftësinë dhe mbylljen e shumë shkollave.
Nga ana tjetër e medaljes qëndron qeveria, e cila tregon se çfarë pune intensive është bërë, që nxënësit të frekuentojnë ambiente të një tjetër niveli, duke lënë pas gërmadhat.
Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme sot nisin mësimin, duke hapur dyert për të gjithë nxënësit që u drejtohen atyre. Më shumë sfida do kenë nxënësit e klasës së parë, ku ulen në bankat e shkollës për herë të parë.
Sapo ka zbardhur dita, një mesazh urimi është përcjellë nga ana e kryeministrit Rama. Ai ka zgjedhur që të urojë nisjen e vitit të ri shkollor me një video-mesazh të moderatorit Ardit Gjebrea, në ambientet e shkollës së rikonstruktuar ‘’Kosova”, në kryeqytet.
Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka uruar të gjithë fëmijët që nisin shkollën sot për herë të parë.
Përpos urimeve, kanë ardhur edhe mjaft pakënaqësi të shprehura nga ana e PD-së. Deputetët demokratë janë shpërndarë nëpër zonat e tyre, për të denoncuar mbylljen e shkollave nga Ministria e Arsimit.
Deputetja Dhurata Çupi ishte këtë mëngjes në Klos të Matit. “Në ditën e parë të shkollës, 35 nxënës të shkollës së Patinit që ditën e parë të shkollës nuk kanë pasur mundësi të vizitojnë këto klasa. Është shkollë fillore dhe nëntëvjeçare. Në qarkun Dibër mbyllen rreth 30 shkolla, ku po shkojmë?”, tha ajo.
Ndërkohë deputetët Luçiano Boçi dhe Endri Hasa, denoncuan mbylljen e shkollës së mesme në Bradashesh, qarku Elbasan. Sipas Boçit, ajo i është dhënë me qira klientelës së qeverisë.
Boçi: “Braktisja e shkollës do të vazhdojë dhe për arsye të largësisë, gjendja është dramatike, kjo është situata ku e ka futur arsimin kjo qeveri. Si kjo shkollë e mesme, janë mbyllur dhe 18 shkolla në Elbasan”.
Edhe deputetja Lindita Metaliaj nga Fishta e Lezhës foli për 9 shkolla të mbyllura në rrethin e Lezhës.
32 mijë vogëlushë do të ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, ndërsa 39 mijë maturantë do provojnë këtë vit maturën e re.
Për këtë vit të ri shkollor, qeveria shpërndau libra falas, duke kursyer kështu 610 milionë lekë nga xhepat e qytetarëve që përdoreshin për tekste.