Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i kërkon Gjykatës së Lartë heqjen nga sekuestro të kantinës së verës, ku rezulton të jetë pronar me 88.19% të aksioneve. Kujtojmë këtu se biznesi u vu në sekuestro pas hetimeve për inceneratorin e Elbasanit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, SPAK urdhëroi prangosjen e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan.
Prokuroria e Posaçme akuzon ish-ministrin e Mjedisit për tre akuza. Ndaj tij rëndojnë akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, “pastrim të parave” dhe “korrupsion”. Hetimet disa mujore zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë, lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.
Sipas SPAK, Koka akuzohet se ka përfituar rryshfet në vlerën e 3.7 milion eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij.