Nga: Uarda Albunesa
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, paralajmëroi përshkallëzimin e gjobave për fshehjen e pagës dhe mosdeklarimin e punonjësve. Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit, lidhur me ecurinë e punës së Njësisë Speciale Antiinformalitet, Ibrahimaj tha se nga 1 qershori do të paraqitet ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat, ndërsa do të ketë dyfishim të gjobave për evazionin fiskal, fshehjen e pagës e mosdeklarimin e punonjësve.
Duke marrë shkas nga deklarata e Ministrisë së Financave mbi përshkallëzimin e gjobave për fshehjen e pagës dhe mosdeklarimin e punonjësve, si dhe për ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat, dua të ndalem për një analizë, si njohëse e ligjit për procedurat tatimore.
Në vitin 2015 u proceduan penalisht disa nëpunës civil të administratës tatimore në disa drejtori rajonale në rang vendi, me objekt “Mosrealizim i detyrave tatimore”. Për ta shpjeguar më qartë për qytetarët, prokuroria pretendoi në atë kohë se administrata tatimore nuk e kishte permbushur detyrën siç duhej sepse disa lokale në vend të kuponit tatimor lëshonin faturë jo tatimore me printer jo fiskal; sepse në ambjente tregtare ishin gjetur punonjës të padeklaruar; apo se në qark ushtronin aktivitet subjekte të parregjistruara.
Në atë periudhë, ligji për Procedurat Tatimore detyronte administratën tatimore që kur evidentonte subjekte të paregjistruara t’ia bllokonte menjeherë aktivitetin dhe t’ia konfiskonte të gjithë mallin e gjetur në vend.
A ishit në dijeni se sa e sa herë shkonte dëm puna e administratës tatimore në terren, me shkelësin e ligjit tatimor, sepse ishte e pamundur konfiskimi i mallit, pasi drejtoria rajonale nuk kishte mjet transporti për ta ngarkuar mallin dhe as magazinë për ta magazinuar sipas kushteve mallin e konfiskuar;
Po në 2015, kur inspektori tatimor e gjobiste subjektin për mosdeklarim punonjësi, për mos pajisje me kasë fiskale, për mall pa faturë, për mospërditësim të dhenash etj, kjo gjobë pasi hidhej në sistem nuk mblidhej më kurrë, pasi subjektet e gjobitura hapnin nipt të ri me po të njejtin aktivitet tregtar, në po të njëjtin vend por me emër tjetër, me qellim që të mos paguanin gjobën;
Do thoni ju, se 2015 është vit i largët dhe gjërat kanë ndryshuar. Fatkeqësisht sot pas 7 vitesh ka përsëri subjekte që ushtrojnë aktivitet tregtar të paregjistruar, printeri jo fiskal lulëzon në qendër të qytetit dhe në zonat bregdetare, borxhi tatimor vazhdon të rritet, dhe punonjës të padeklaruar gjen çdo ditë.
Pse e bëra këtë përmbledhje: e bëra sepse shoh që Ministria e Financava vazhdon me të njëjtën mendesi të mbledhjes së tatimeve “Le të rrjepim të ndershmit, të përgjegjshmit, respektuesit e ligjit, biznesin formal sepse s’kemi takat të merremi me të pabindurit”.
Për të qenë më e qartë për qytetarin e thjeshtë: A e dini se një biznes informal i heq të drejtën punonjësve që punojne tek ai për të perfituar pension dhe shërbime shëndetësore falas?
– A e dini se një biznes informal e vjedh energjinë elektrike dhe për pasojë rritet humbja në rrjet, humbje të cilën e paguajmë ne abonentet e bindur?
– A e dini se nje biznes informal e vjedh ujin e pijshëm dhe për pasojë ka humbje në rrjet, të cilen po ashtu e paguajmë ne abonentët e bindur?
– A e dini se një biznes informal nuk derdh TVSH dhe as tatim mbi të ardhurat në buxhet, ndaj sot ulëret Ministria e Financave se ka humbje në buxhet nga të pabindurit?
– A e dini se një biznes informal nuk paguan taksat lokale, e për pasojë rritet per ne të bindurit shuma e tarifave dhe taksave lokale?
– A e dini se një biznes informal është në kushtet e veprës penale?
Ndaj në vend që ti merrni frymën biznesit të ndershëm qe ju mbush buxhetin çdo muaj dhe mban qindra familje me bukë dhe shpresë në qark, edukoni me masa ligjore të pabindurit!
Rritja e tatimit mbi të ardhurat për profesionet e lira në vleresimin tim vjen si pasojë e një keqmenaxhimi të politikave ekonomike dhe tatimore, që për asnjë arsye nuk duhet paguar nga profesionistët e lirë.
Ndërkohë që rritja e gjobave për punonjësit e padeklaruar apo për mosdeklarim të pagave nga biznesi është abuziv si vendim, sepse administrata tatimore ka dështuar prej vitesh për mbledhjen e borxhit, dhe ky dështim nuk ka ardhur si pasojë e inspektoreve tatimore, por si pasojë e politikave të këqia qendrore tatimore.
Për aq kohë sa informaliteti lulëzon në këtë vend, s’ka moral të legjitimuar të gjobisësh pjesën formale të bizneseve.
TIRANA TODAY















