Mesfushorët Liridon Latifi dhe Eros Grezda kanë mbajtur një konferencë për shtyp ditën e sotme, ku kanë folur për Kombëtaren nën drejtimin e Panuccit dhe rolin e tyre.
Mesfushori nga Prishtina, Liridon Latifi, i cili kërkon të jetë protagonist edhe me ekipin Kombëtar, ka treguar para gazetarëve se do të jetë gjithmonë i gatshëm në çdo sekondë për të dhënë më të mirën për Shqipërinë.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me përjashtimin e Çikalleshit ai ka thënë se këto vendime i takojnë trajnerit dhe nuk mund të ndërhyjë.
Sa për vendimin për të shkuar në Hungari ai është shprehur: “Ata kanë bërë një projekt shumë të madh për të ardhmen, kanë bërë shumë gjëra në aspektin e projekteve. Ka qenë edhe ana financiare që më kënaqi mua dhe klubin ndaj zgjodha atë skuadër”.
Ndërkohë që mesfushori Eros Grezda ka siguruar një vend të rëndësishëm në ekipin kombëtar. Ai është duke kaluar një formë mjaft të mirë me klubin e tij Osijek në Kroaci. Gjatë konferencës për shtyp para gazetarëve, 22-vjeçari nga Gjakova nuk e ka fshehur dëshirën për t’u aktivizuar nga minuta e parë në sfidën ndaj Lihtenshtejnit.
Grezda deklaroi gjithashtu se për Kombëtaren është gati të luaj në çdo pozicion kudo qe të thotë trajneri. Duke krahasuar mes tyre De Biazin dhe Panuccin, Grezda ka deklaruar se janë theksuar tiparet sulmuese të skuadrës.
Sadiku mungoi në këtë konferencë për shkak të problemeve shëndetësore me gripin.