Pas një zhurme të madhe dhe të gjatë për largimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madrid, ka vendosur vetë ylli portugez që me anë të një deklarate ti japë fund spekulimeve. Me anë të një letre të postuar në faqen zyrtare të klubit merengues, ai shprehet se këto 9 vite te madrilenët kanë qenë më të lumturat në jetë, por tani i duhej një ndryshim në karrierë.“Këto vite te Reali i Madridit dhe në këtë qytet, ishin ndoshta më të lumturat të jetës sime. Kam vetëm vlerësim maksimal për këtë klub dhe për këtë qytet. Ju falënderoj të gjithëve për dashurinë dhe afeksionin që kam marrë këtu. Sidoqoftë, mendoj se është koha të hap një fazë të re në jetën time dhe prandaj i kërkova klubit të pranojë largimin tim. U kërkoj të gjithëve, në veçanti tifozëve që të më kuptojnë.
Ata kanë qenë të mrekullueshëm për 9 vite. Kanë qenë 9 vite unike. Ishte një moment emocional për mua, plot me konsideratë, por edhe të vështirë, sepse Reali i Madridit është një klub shumë kërkues. Kam pasur miq të shkëlqyer në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, kam ndjerë ngrohtësinë e një turme të pabesueshme dhe së bashku kemi fituar 3 Champions radhazi dhe 4 Champions në 5 vite.
Falë këtij grupi dhe këtij ambienti, në aspektin individual, kam kënaqësinë që kam fituar 4 “Topa të Artë” dhe 3 herë “Këpucën e Artë”. Gjithçka gjatë kohës sime në këtë klub të jashtëzakonshëm e kam bërë me pasion dhe me profesionalizëm. Reali i Madridit e ka pushtuar zemrën time dhe familjen time dhe për këtë arsye, më shumë se kurrë ju them: faleminderit klubit, presidentit, drejtorëve, kolegëve të mi, të gjithë trajnerëve, mjekëve, fizioterapistëve dhe punonjësve të pabesueshëm që bëjnë gjithçka të funksionojë si duhet dhe pa u lodhur kujdesen për çdo detaj.
Faleminderit pafundësisht edhe një herë tifozëve tanë dhe në sajë të futbollit spanjoll gjatë këtyre 9 viteve emocionuese kam pasur lojtarë të mëdhenj pranë meje. Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata. Kam reflektuar shumë dhe e di se ka ardhur koha për një cikël të ri. Po largohem, por kjo fanellë, kjo mburojë dhe “Santiago Bernabeu” do të vazhdojnë të ndjehen gjithmonë si të miat kudo që të jem. Faleminderit të gjithëve dhe natyrisht, siç thashë për herë të parë në stadiumin tonë 9 vite më parë: Hala Madrid!” – shkruan Ronaldo.