Teksa flisnin për paketën “anti-shpifje”, nënkryetari i Autoritetet të Mediave Audiovizive Sami Neza u shpreh se asnjë kryeministër nuk arrin ta zgjidhë problemin e “lajmeve të rreme”.
I ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Real Story”, Neza shtoi se duhet ndërtuar strategji edukimi për median si e vetmja qasje ndaj “Fakenews”.
Sipas tij, nëse një institucion publik merr përsipër të ndërtojë përfundime lidhur me përmbajtjen e medias, në këtë rast kemi censurim të medias.
“Vende te tjera kanë ndërtuar strategji për edukimin për median, që e fusin që herët nëpër shkolla. Është e vetmja qasje ndaj “Fakenews” që lindin nga mediet e reja. Nuk ka kryeministër që e zgjidh problemin e “Fakenews”, po ashtu s’ka institucione që kanë qasje mbi përmbajtjen. Duhet ndarë njëherë e mirë, nëse një institucion publik merr përsipër të ndërtojë përfundime lidhur me përmbajtjen e medias, në këtë rast kemi censurim të medias.
Çfarë po bën qeveria tani? Hapi i dytë i qeverisë është censurimi i lajmeve. Më thoni një qeveri që ka zemërgjerësi me median. Unë kam bërë një sondazh më 2011, ku 60% e gazetarëve kishin kontakte të drejtpërdrejta me botuesin dhe diskutonin direkt me të; po ka logjikë kjo gjë?”, tha Neza.