Në fund të muajit gusht, ministrja Belinda Balluku nisi një fushatë ndërgjegjësimi, në kushtet e një krize energjitike dhe në vjeshtë pritet përkeqësimi i saj. Madje në një video të ndarë në rrjetet sociale, Balluku i këshillonte qytetarët që të kursenin energjinë. Në videon jepen rekomandime sesi të përdoret lavatriçja. Këshillat përfshijnë që të përdoret sa më pak gjatë javës dhe rrobat të lahen me 30 gradë.
Por teksa kjo deklaratë bëri xhiron e rrjetit, Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku e ka mohuar këtë deklaratë që rrobat të lahen me 30 gradë.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Balluku tha se ka qenë një spot i bërë nga ekspertët, ndërsa është publikuar nga KESH e jo nga Ministria.
“Më kanë bërë për të qeshur. Kur e kam thënë këtë gjë? E keni ju një video timen që unë kam dalë dhe u kam thënë qytetarëve që të lajnë rrobat me 30 gradë. Unë s’kam folur kurrë për larjen e rrobave. Unë nuk e kam thënë se mesa duhet të lahen rrobat, sepse nuk e di se sa harxhon lavatriçja. Spotin e ka nxjerrë KESH, jo Ministria”, theksoi ministrja.
Qeveria ka rikthyer fashat për faturimin e energjisë elektrike që prej muajit tetor. Të gjithë familjarët që do tejkalojnë fashën prej 800 kwh, do ta blejnë energjinë me çmim tregu.