Nga: Leons Hasani
Sot shqetësimi kryesor i qytetarëve shqiptarë janë çmimet e larta, rritja e kostove të jetesës, si dhe një përgjigje e vonuar për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Situata aktuale ekonomike në Shqipëri kohët e fundit është ndikuar dhe rënduar si nga faktorët e jashtëm, po ashtu edhe nga faktorët e brendshëm.
Pandemia Covid-19 dhe lufta në Ukrainë konsiderohen si faktor të jashtëm që kanë dhënë efekte negative në ekonomi. Ndërkohë elementë të tjerë si performanca e shtetit me financat publike, politikat fiskale dhe performanca e bizneseve që kanë në menaxhim burimet natyrore, konsiderohen si faktorë të brendshem. Një nga problemet me ekzistenciale te ekonomisë që në periudhën e antikitetit ka qënë “menaxhimi i burimeve natyrore me efiçencë dhe shpërndarja e drejtë e tyre tek qytetarët”.
E në fakt, ajo se çfarë po ndodh me burimet natyrore të vendit tonë dhe kompanitë shfrytëzuese të këtyre burimeve, bie ndesh me parimin e mësipërm. Nafta është një prej pasurive nëntokësore që natyra dhe Zoti ka falur shqiptarëve me bollëk. Një burim natyror që ka filluar të shfrytezohet që në Luftën e Parë Botërore nga italianët, e me pas nga shteti komunist dhe sot që flasim nga kompania kineze Bankers Petroleum.
Edhe pse kompania kineze Bankers Petroleum shfrytëzon një burim të rëndësishëm natyror te Shqipërisë siç është nafta, ajo nuk i paguan buxhetit të shtetit as edhe një cent sepse deklaron gjithmonë fitim zero, e bazuar kjo në kostot e mëdha të transportit dhe cilesine e dobët të naftës. Në kohën kur buxhetit te shtetit i nevojiten para për të amortizuar çmimin e lartë të naftës në treg, por edhe të produkteve të tjera kompania në fjale vazhdon të keqmenaxhoje burimet natyrore të naftës, të krijojë ndotje të jashtëzakonshme mjedisore në zonat ku kryen veprimtarinë, si edhe të sjellë një dem ekonomik të vlerësuar në miliona dollarë per qytetaret dhe vendin.
Kompania kineze Bankers Petroleum jo vetëm që po ushtron aktivitetin pa një plan vjetor të aprovuar, por ajo gjithashtu kërkon nënshkrimin një kontrate të re 5 vjeçare sipas kushteve të saja, ne gjuhën kineze. Sigurisht një kontratë e shkruar në gjuhën kineze do te ishte nje dominim absolut i tyre mbi menaxhimin e burimeve natyrore të naftës, manipulimeve të ndryshme, dëmit ekonomik, por edhe atë të sigurisë kombëtare.
Institucionet ligjzbatuese duhet te luajnë rolin qe ju ngarkon lign për të mbrojtur pasuritë dhe burimet natyrore të qytetarëve shqiptare nga abuzimi dhe vjedhja e kompanive mashtruese. Nese shqiptarët sot varfërohen dhe janë të detyruar të paguajnë produkte dhe shërbime me çmime shumë herë më të larta sesa çmimi i tyre real në treg, atëherë të gjithë ne duhet ta dimë se një nga shkaktarët kryesor të këtij realiteti ekonomik jane kompanitë mashtruese që abuzojnë me burimet natyrore, e si rrjedhojë nuk prodhojnë mirëqenie ekonomike për qytetarët.
Këmbëngulja dhe lobimi i kompanisë kineze Bankers Petroleum për të firmosur me qeverinë shqiptare një kontratë të re 5 vjeçare, dhe për më tepër në gjuhën kineze, tregon dinakërine dhe dashakeqësinë për ta interpretuar këtë kontratë në favorin dhe interesin e tyre në të ardhmen. Nënshkrimi i nje kontrate të tillë nga pala shqiptare, do të sillte më shumë abuzime dhe vjedhje në këtë sektor, më shumë degradim të mjedisit dhe vendburimeve të naftës, dhe sigurisht më shume mbrojtje ndaj kësaj kompanie kundrejt manipulimeve që ajo ka kryer dhe do vazhdojë të kryeje në favor të interesave të saj.
Ndaj nevojitet një reagim i fortë qytetar, duke mbështetur ekspertët dhe juristët e fushës për të mos lejuar që një gjë e tillë të ndodhi pasi kjo do të përbënte precedentin e kolonializimit të burimeve të naftës shqiptare nga një kompani kineze. Qeverisë shqiptare i lind detyra të njihet me pasojat e firmosjes së kësaj kontrate duke u konsultuar me qytetarët, ekspertët dhe grupet e interesit.
Nese kjo kompani aktualisht realizon aktivitetin e saj pa patur një plan vjetor të miratuar, imagjinoni se çfarë mund të bëj nesër me një kontratë të firmosur në gjuhën kineze, ku interpretimin e neneve të kontratës do ta bëjë sipas frymës dhe kuptimit të kësaj gjuhe, në favorin e tyre.
Në këtë rast pala shqiptare do të ishte e pafuqi për të kontrolluar sipas legjislacionit shqiptar veprimtarinë e Bankers Petroleum, dhe në këtë mënyrë do t’i sillte shtetit një dëm ekonomik dhe mjedisor prej miliarda dollaresh Ndaj ne si shqiptarë nuk duhet të harrojmë se çfarë prodhojë sistemi komunistë në vendit tonë dhe sigurisht sot duhet ta njohim shumë mirë realitetin e sistemit komunist kinez, për të kuptuar se çfare bëhet me pasuritë që kompanitë kineze marrin nga Shqipëria dhe i dërgojne në shtetin kinez.
Qeveria kineze sot ngjashëm si qeveria komuniste e Shqipërisë dikur përdorë paratë për të persekutuar, internuar dhe burgosur Ujgurët, të cilët i përkasin besimit Islam. Ndjeshmëria dhe ndergjegja njerëzore nuk mund të na lejoj ne, së pari si qytetar dhe së dyti si shtet të mbyllim sytë kur kompanitë kineze abuzojnë me pasuritë tona kombëtare, dhe aq më pak të heshtim kur ato transferojnë paratë në shtetin e tyre, dhe me këto para shtypin, rahin, burgosin dhe internojnë ugurët myslimanë. Shqipëria është një vend që aderon të bëhet pjesë e modeleve ekonomike që ngrihen mbi parimet e demokracisë, dhe vlerave më të larta shoqërore. Si e tillë shoqëria dhe shteti shqiptar duhet të distancohet nga vendet te cilat aplikojnë modele komuniste, sepse ato nuk prodhojnë gjë tjetër përveçse sisteme diktatoriale.
Leons Hasani, Pedagog i Shkencave Ekonomike