Arti i luftës ka evoluar shumë me ardhjen e teknologjive bashkëkohore. Por diçka nuk ka ndryshuar. Që të fitosh një luftë, është ende thelbësore të mbash fshehur forcën e vërtetë që zotëron. Ndaj, qeveria amerikane nuk zbulon asnjëherë informacion të plotë në lidhje me mjetet dhe taktikat e saj për mbrojtjen. Ja cilat janë disa nga armët e saj sekrete, sipas informacioneve të rrjedhura në kohë të ndryshme.
Armët që përdorin energjinë diellore
Matematikani i njohur i lashtësisë, Arkimedi, ndërtoi gjatë pushtimit romak të Sirakuzës, disa pasqyra gjashtëkëndore, me të cilat dogji shumë nga anijet armike, përmes reflektimit të energjisë diellore. Ushtria amerikane zotëron tashmë armë të tilla. Por forma më e përdorur është lazeri me energji të lartë (HEL).Këto armë lëshojnë një rreze energjie dhe nuk bëjnë zhurmë, si dhe janë të padukshme në frekuenca të caktuara. Ato mund të djegin një objektiv nga qindra km larg.
Armët akustike me rreze të gjatë
Gjatë protestave të dhunshme në Ferguson të SHBA-së në vitin 2014, policia përdori një armë të re të kontrollit të turmës. Bëhet fjalë për “topat e zërit” LRAD. Ato mund projektojnë komandat zanore në një distancë prej 9 km. Kjo armë i shkakton dhimbje të forta në trup cilitdo brenda një rrezeje prej 100 metrash.
Kontroll i mendjes përmes mikrovalëve me frekuencë të ulët
Në vitin 1965, në kulmin e Luftës së Ftohtë, Pentagoni zbuloi se sovjetikët po godisnin ambasadën e SHBA-së në Moskë me rreze me mikrovalë me një frekuencë jashtëzakonisht të ulët (ELF). Këto rreze mendohej se mund të shkaktonin ndikim në shëndetin e personelit të ambasadës ose të ndryshonin sjelljen e tyre.
Pentagoni vendosi të studionte këtë armë dhe u përpoq t`a imitonte atë. Projekti Pandora kreu një seri eksperimentesh me mikrovalë ELF. Në vitin 1969 u arrit në përfundimin se rrezatimi ELF përbënte një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Arma që shkakton atak kardiak
Pas skandalit Uotergejt në fillim të viteve 1970, senatori demokrat Frenk Çërç drejtoi një komision hetimor për të shqyrtuar çdo aktivitet të CIA-s. Në vitin 1975, komisioni zbuloi “armën që shkaktonte sulm në zemër”, një pistoletë e modifikuar që ishte në gjendje të jepte një dozë gati të pagjurmueshme por vdekjeprurëse të toksinës së butakëve, që dihej me siguri që shkaktonin sulm në zemër.
Armë biologjike
Gjatë viteve 1949-1969, ushtria amerikane testoi armët e saj biologjike mbi njerëzit e saj pa dijeninë apo pëlqimin e tyre. Një eksperiment i tillë ndodhi në vitin 1950, kur një anije e Marinës Amerikane hodhi miliarda mikrobe të vogla në atmosferë mbi San Francisko, duke shkaktuar një rritje të madhe të sëmundjeve të ndryshme, dhe duke vrarë të paktën 1 qytetar. Në vitin 2016, drejtori i Shërbimeve amerikane të Inteligjencës, Xhejms Klaper shprehu shqetësimin tij se teknologjia e redaktimit të gjeneve, mund të bëhet një armë e tmerrshme e shkatërrimit në masë nëse bie në duar të gabuara.
Projekti Tor
Është një teknologji e projektuar nga Xheri Purnel në vitet 1950, që do të shfaroste armiqtë me vetëtimat e hedhura artificialisht nga lart. E quajtur ndryshe si“Arma e Zotit”, ajo do të përbëhej nga një çift satelitësh. Njëri shërben si qendër shënjestrimi, dhe tjetri është i pajisur me shufra tungsteni me gjatësi 6 metra, që do të hidheshin mbi një objektiv nga orbita. Të afta për të depërtuar qindra metra në koren e Tokës, shkarkimet e Tor do të prodhonin dëme të ngjashme me një shpërthim bërthamor, por pa dëmet anësore të kësaj të fundit.
Projekti HAARP
Hugo Çavez akuzoi direkt këtë projekt për shkaktimin e tërmetit shkatërrues që goditi Haitin në vitin 2010. Teoritë mbi anën e errët të HAARP, u zbehën disi kur Forca Ajrore e SHBA-së njoftoi se ky kompleks hulumtimesh jonosferike do të mbyllej në vitin 2014. Por spekulimet rifilluan kur HAARP rinisi aktivitetin në vitin 2017. Edhe pse është akuzuar vazhdimisht për manipulimin e motit, dhe transmetimin e sinjaleve të kontrollit të mendjes, asnjë nga këto pretendime nuk ka dëshmuar nëse janë të vërteta apo të rreme.
Burimi i lajmit: https://listverse.com/2018/01/30/10-alleged-secret-weapons-of-the-us-military/
Përshtatur nga TIRANA TODAY