Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar ditën e sotme formularin e vetëdeklarimit të burimit të pasurisë 4 personave nga Shkodra dhe një të dënuari nga Tepelena.
Përkatësisht, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
Sokol Tavasja, banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
Ismet Idrizi, banues në Shkodër, nën hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”;
Sokol Xhani, banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
Gjeto Pepaj, banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”;
Astrit Pata, banues në Tepelenë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Trafikimi i femrave”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.