Zv/kryeministri Arben Ahmetaj është prononcuar për mediat pas mbledhjes së qeverisë për rezultatet e Këshillimit Kombëtar dhe procedurat që do të ndiqen deri në legalizimin e kanabisit mjekësor. Ai tha se janë në fazë konsultimi me disa nga shtetet të OECD-së për mënyrën si funksionon kjo strategji në disa shtete të Europës.
“Këshillimi Kombëtar është një risi. Përmes Këshillimit Kombëtar kemi shtuar një instrument të rëndësishëm publik. Pas rezultateve të Këshillimit Kombëtar, pjesëmarrja ka qenë shembullore, qytetarët kanë marrë vendime bashkë me qeverinë për çështje të rëndësishme. Ka elementë të rëndësishëm socialë për mbështetjen për nënat me më shumë se tre fëmijë. Ka çështje të luftës kundër evazionit fiskal. Ajo iniciativë ka ecur shumë mirë.
Brenda disa muajsh për shkak të dialogut me sipërmarrjen është rritur paga mesatare në sektorin privat me 91 mijë lekë të vjetra në muaj. Ka edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me kanabisin mjekësor. Jemi duke u konsultuar me shumë shtete të OECD-së për mënyrë si funksionon kjo strategji në vendet e Europës. Ne këtë konsultim do ta maturojmë shumë shpejtë edhe draft ligjin dhe do të vazhdojmë procesin”, u shpreh Ahmetaj.
Energjia elektrike është një tjetër temë që trajtoi Arben Ahmetaj. Ai tregoi edhe tavanin që do të përdoret për të klasifikuar familjet që do ta paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike. Ahmetaj ka paralajmëruar një vendim të qeverisë i cili do ta bëjë më të shtrenjtë energjinë për të gjitha ato familje që harxhojnë më shumë se 700 kw/h në muaj.
“Pyetja juaj më jep mundësi të shpjegoj se nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për biznesin e vogël dhe familjarët. Në konceptin kush fiton më pak do paguajë më pak, ato familje që shpenzojnë 700 kw e sipër do paguajnë më shumë. Ata që shpenzojnë nën 700 nuk u ndryshon çmimi. Ato familje që kanë shumë më shumë të ardhura, shpenzojnë më shumë. Jemi duke folur për 700 e sipër ku kapaciteti është shumë më shumë se kapaciteti i nevojshëm. Këto familje do trajtohen me progresivitet. Për bizneset nëse ne ato rreth 7500 sipërmarrje të tensionit të ulët do i kishim lënë në mëshirë të tregut do paguanin 34 lekë, sot paguajnë 18 lekë. Sepse qeveria ka bërë indeksimin e çmimit për të mos i lënë në mëshirë të fatit. Qytetarëve të këtij vendi që kanë të ardhura masatare dhe shkojnë te tavani 700 nuk do u rritet asnjë cent. Edhe për 7500 bizneset të tensionit të mesëm do i subvencionojmë në një nivel tjetër”, tha ai.
Ahmetaj foli edhe për një nga vendimet e marra në kuadër të procesit të rindërtimit. “Ka një seri institucionesh publike të dëmtuara nga tërmeti. Sot kemi futur në rindërtim institucion e policisë shkencore. Vazhdojmë të financojmë rikontruskionin në Kavajë dhe Durrës. Në Durrës bashkia pas vlerësimeve që bëhen nga instituti i ndërtimit ka kërkuar një financim në vazhdim këtë vit. Sot kemi marrë vendim edhe për shkollat. Tashmë pasi kemi zgjidhur problematikat në qytetet e mëdha, po vazhdojmë me shkolla më të vogla. Procesi i rindërtimit tashmë është në një fazë të avancuar”, deklaroi zv/kryeministri.