Në Kongresin e PS, kryeministri Rama njoftoi se familjet e pasura në vendin tonë, që sipas tij janë 5% e popullsisë, që konsumojnë 25% të energjisë elektrike, do ta paguajnë me një tjetër çmim, natyrisht më të lartë.
Sot Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e pyetur nga gazetarët se si do të bëhet ky diferencim, tha se do të përcaktohet një fashë për kilovat/orë. Kushdo që konsumon mbi këtë fashë, do të paguajë me çmimin e tregut të energjisë, që është më i shtrenjtë.
Ajo shtoi më tej se rreth 700 kilovat/orë konsiderohet një konsum normal për një familje mesatarisht me 4 apo 5 anëtarë. Mbi këtë fashë e cila nuk është aprovuar ende, do të paguhet me çmim më të lartë.
“Kryeministri i referohet përdoruesve me sasi më të mëdha të kilovat/orëve. Pra ky është diferencimi. Ndoshta ata nuk janë më të pasur, por e kanë nevojën të madhe, megjithatë ne jemi në përfundim të një analize të thellë i cili tregon se cila fashë, se sa kilovat/orë i duhen një familje për të pasur një konsum normal. Duke përfshirë këtu edhe familje në numër të mëdha apo edhe familja të vogla.
Për ta bërë sa më të kuptueshme, për të pasur elektroshtëpiaket, për të pasur ngrohje mesatare, për të pasur të gjitha funksionet e një familje nëse flasim për fashën e familjarëve jo për biznesin e vogël. Kemi thënë nga dita e parë që biznesin e vogël do vazhdojmë ta mbrojmë me çmime që ne kemi pasur nga fillimi, pasi është shumë e rëndësishme për ekonominë mbështetja e këtij grupi, përsa i përket gjithë kontributit ekonomik që ka në vendin tonë.
Ndërkohë, përsa i përket familjarëve, duke pasur një analizë të mirëfilltë se cila konsiderohet një sasi mesatare normale, atëherë çdo kilovat/orë mbi këtë sasi do të faturohet me çmimin normal të tregut dhe jo më me subvencionin nga qeveria.
Kështu që ajo që ne po bëjmë sot është diferencimi i një fashe, pak a shumë të gjitha analizat na çojnë në fashën rreth 700 kilovat/orë, thjesht për ta ditur, nuk është marrë si vendim.
Por po ju jap një indicie për shkak të analizës që po bëjmë në këto momente. Rreth 700 kilovat/orë konsiderohet një konsum normal për një familje mesatarisht me 4 apo 5 anëtarë. Mbi këtë fashë e cila nuk është aprovuar akoma, do të paguhet me çmim më të lartë”, tha ministrja Belinda Balluku.