Kujdes, ja si mund të infektoheni me Covid-19 nga frekuentimi i autobuzëve

Nga: Viola Rita “Wired.it”

Ndoshta dikush do të ketë lexuar ditët e fundit lajmet mbi praninë e gjurmëve të ARN virale të koronavirusit Sars-Cov-2 në dorezat, parmakët, butonat dhe sediljet e autobusëve dhe të mjeteve të transportit në kryeqytet, dhe 4 provincat e Lazios, dhe në Varese, në provincën e Milanos.

Ky informacion, edhe pse nuk shton gjëra të reja në raport me ato që tashmë dinim – pra që gjurmët e koronaviruseve mund të jenë të pranishme tek dorezat dhe objektet e tjera në një autobuz – e rihap gjithsesi debatin mbi mundësinë e prekjes nga Covid-19 përmes sipërfaqeve të ndotura.

Duke rikujtuar edhe një herë se gjetja e gjurmëve të patogjenit, nuk nënkupton në asnjë mënyrë që ai është me siguri aktiv dhe infektiv, ja çfarë duhet të dimë sot për infektimin përmes sipërfaqeve që kanë prani të virusit.

Në fillim të pandemisë, kishte një debat të madh mbi rrugët e mundshme të transmetimit të koronavirusit, duke përfshirë kontaktin mes duarve dhe sipërfaqeve të kontaminuara. Për këtë arsye në fillim ne dezinfektonim shumë më shpesh objektet, dhe vëmendja u fokusua shumë tek kohëzgjatja e qëndrimit aktiv të Sars-Cov-2 në materiale të ndryshme si letra (kartëmonedha, kuti, libra), metale (monedha, doreza apo parmakë), plastike (sedilje dhe sende të tjera), xham (gota) dhe rroba.

Disa studime, janë përpjekur që të vlerësojnë qëndrueshmërinë e virusit të gjallë në këto sipërfaqe, me rezultate që janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Në fakt këto studime, shqyrtojnë më shumë praninë e patogjenit në mjedise të caktuara dhe jo probabilitetin e marrjes së infeksionit nga prekja e këtyre sipërfaqeve.

Në një rast një studim tregoi se Sars-Cov-2, mund të mbijetojë tek shumë materiale deri në 28 ditë, por në kushtet e një temperature fikse prej 20 gradë Celcius dhe në errësirë. Infektimi nga sipërfaqet identifikohet gjithashtu me transmetimin nga fomitet, objekte të pajeta, që nëse ekspozohen ndaj patogjenëve,mund të shndërrohen në një mjet të sëmundjes infektive.

Siç e theksojnë edhe autoritetet shëndetësore kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), infektimi është i mundur edhe nga sipërfaqet e ndotura. Sikurse thuhet në një artikull të botuar së fundmi në “Nature”, “ka prova të kufizuara të transmetimit nga fomitet”, theksoi një zëdhënës i OBSH, “edhe pse ky lloj transmetimi konsiderohet ende i mundshëm”.

Lexo edhe :   Koronavirusi/ Brataj jep lajmin e mirë: Ja kur do të hiqen maskat

OBSH shkruan në udhëzuesin e përditësuar në vjeshtën e vitit 2020, se “virusi mund të përhapet kur njerëzit e infektuar teshtijnë, kolliten ose prekin objekte dhe sipërfaqe të ndryshme si tavolina, doreza dhe parmakë”.

Gjithsesi, kjo rrugë e infektimit është shumë më pak e shpeshtë, sesa transmetimi përmes spërklave të mëdha ose të vogla të pështymës që çlirohen nga teshtitja, kollitja ose të folurit. Ne ende nuk e dimë me siguri, nëse ka më pak të ngjarë se sa transmetimi i grimcave të pështymës të mbetura pezullua në ajër (aerosole, ose përmes ajrit), një temë tjetër për të cilën ka debate të mëdha.

Që të ndodhë një infektim përmes sipërfaqeve të ndotura, duhet të ndodhë kjo seri ngjarjesh:virusi duhet të jetë i pranishëm në sipërfaqe, aktiv dhe në sasi të mjaftueshme për të qenë në gjendje të infektojë; personi duhet ta prekë pjesën e kontaminuar dhe pastaj të çojë duart e palara tek mukozat (edhe goja luan gjithashtu një rol të rëndësishëm).

Prandaj në parim është e mundur, por gjithsesi më pak sesa mënyrat e tjera të kontaktit  me virusin. Në çdo rast, për të shmangur keqkuptimet dhe për të zvogëluar rreziqet, OBSH shpjegon shumë qartë se si duhet të sillemi. Ne duhet të shmangim prekjen e sipërfaqeve, sidomos në mjediset publike, pasi edhe nëse dezinfektimet janë të shpeshta, dikush që mund të ketë shfryrë hundët, mund t’i ketë prekur ato para nesh.

Nëse i prekim ato (për shembull nëse jemi të detyruar të hipim në autobuz) nuk duhet t’i sjellim afrojmë duart tek hunda apo goja, dhe së pari duhet t’i lajmë me kujdes duart për të paktën 20 sekonda me ujë dhe sapun ose me një dezinfektues me bazë alkooli.

Burimi i lajmit: https://www.wired.it/scienza/medicina/2021/04/09/tracce-rna-coronavirus-maniglie-bus-contagio-superfici/

Përshtatur nga TIRANA TODAY