Çdo ditë në mediat serbe për çështjen e Kosovës janë paraqitur të paktën dhjetëra “zgjidhje përfundimtare” të reja dhe në të njëjtën mënyrë janë mohuar, disa lajme vijnë “nga burime të qëndrueshme” dhe po ashtu korrigjimi i këtyre “njohurive”.
Kjo do të thotë ose që zgjidhja e kësaj çështjeje është vërtet afër, ose politikanët në mënyrën e tyre të zakonshme përpiqen ta bëjnë problemin e Kosovës një temë të përjetshme për manipulimin emocional të qytetarëve dhe me zgjuarsi të mposhtin kundërshtarët politikë.
Thashethemet e medias janë prova që autoritetet serbe nuk presin në të vërtetë një zgjidhje të mirë në lidhje me Kosovën, siç e pranon edhe vetë Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Duke filluar nga kjo shtrohet pyetja, a është e organizuar e gjithë kjo fushatë mediatike në mënyrë që opinioni publik të përgatitet për një zhvillim të tillë?
Kosova mbetet në vendin e gjashtë: Nga ana tjetër qytetarët e Serbisë duket se nuk janë të fokusuar aq shumë në problemin e Kosovës, siç shihet në sondazhet e opinionit publik. Problemet kryesore janë shumë larg nga çështja e Kosovës, si atje ashtu edhe tek serbët, problemet në çështjet e ekonomisë, standardit të jetesës, shëndetësia, gjyqësori, arsimi, krimi i organizuar dhe korrupsionit mbeten shumë më të rëndësishme. Si mund të shpjegohet mospërputhja midis figurës që krijohet nga mediat dhe cilat janë prioritetet e vërteta të qytetarëve të Serbisë?
“Kosova nuk është, siç thonë ata temë jetësore, por njësoj si ata që janë në qeveri edhe opozita krijojnë stereotipat, se nëse humbet Kosova është humbur pothuajse çdo gjë”, thotë për DW shkrimtari Filip David.
“Gjithkush e di se është formulë e krijuar artificialisht, por askush nuk dëshiron ta pranojë këtë. As edhe Presidenti Vuçiç nuk e di se çfarë të bëjë në lidhje me Kosovën: nga njëra anë thotë se ne kemi rënë dakord dhe ne nuk duhet të lejojmë krijimin e konflikteve të tjera, nga ana tjetër me anë të mediave që kontrollon ai, kërkesat janë që Kosova me çdo kusht të mbetet si pjesë e Serbisë”.
Analisti politik Milan Nikoliç, nga hulumtimet e tij, vlerëson që Kosova është në vendin e pestë apo të gjashtë në listën e prioriteteve të qytetarëve serb. Megjithatë paralajmëron ai, kjo nuk duhet të ngatërrohet me mundësinë e manipulimit të emocioneve në lidhje me këtë çështje.
“Tani kur asgjë dramatike nuk ndodh në Kosovë, çështje kryesore mbeten punësimi dhe përmisimi i standardit të jetesës. Por kjo gjë mund të ndryshojë shumë shpejt në rast se ndodh diçka dramatike në Kosovë, ndonjë tentativë për një masakër të re apo incidente të tjera. Në rrethana të qeta Kosova është në vendin e gjashtë, por shpejt mund të arrijë pikën më të lartë si problem kryesor”, thotë Nikoliç për DW.
Si Vuçiç dhe opozita po e rrisin vëmendjen në këtë çështje: Nikoliç interpreton rritjen e temperaturës në media me afrimin e zgjidhjes përfundimtare, gjë që i shkakton nervozizëm pushtetit. “Kjo zgjidhje mund t’i shkaktojë dëme të mëdha politike presidentit Vuçiç. Teksa çështja tani është afër zgjidhjes duket që Serbia po pret të humbasë gjithçka dhe nuk do të fitojë asgjë. Kjo është arsyeja pse Vuçiç përdor mediat që ai vet i kontrollon për të bërë zhurmë, për ta luftuar këtë zgjidhje duke thënë që është tmerrësisht e vështirë, që nuk ka kuptim, e kështu me radhë. Gjë që është pjesërisht edhe e vërtetë”, theksoi Nikoliç.
Filip David këtë fenomen së pari e vlerëson si luftë e thjeshtë për të ruajtur pushtetin, ose në rastin e opozitës për të marrë pushtetin. “Normale do të ishte që opozita të insistojë për të arritur një marrëveshje dhe për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës, por ata e bëjnë pikërisht të kundërtën duke thënë: nuk duhet të negociohet, marrëveshja do të ishte tradhëti ndaj Serbisë.”
“Nuk ka vullnet politik për ta zgjidhur këtë problem dhe madje edhe nëse zgjidhet, asgjë e veçantë nuk do të ndodhë. Shumë herë kemi dëgjuar gjatë ekstradimit të Millosheviçit dhe Karaxhiçit se njerëzit do të ngrihen dhe do të ketë një rebelim, por në fund u mblodhën vetëm njëqind vetë” , kujton David.
Ndaj opozita Aleanca për Serbinë e ka vendosur problemin e Kosovës në rend të ditës, duke u përpjekur të prekë me këtë Vuçiçin. Ndërsa partnerët e tjerë të opozitës nga Partia Demokratike dhe nga Partia Popullore kanë kundërshtuar veçanërisht metodën e Vuçiqit në mbajtjen e bisedimeve me Prishtinën.
Të anketuarit nga ne, besojnë se kjo është qasje e gabuar dhe se opozita nuk duhet ta shfrytëzojë çështjen e Kosovës si një mënyrë për të mposhtur Aleksander Vuçiç. “Opozita mund të ketë sukses në këtë drejtim, por pastaj do të mbetet vetë ajo që duhet ta zgjidhë këtë problem. Situata për Serbinë nuk do të ndryshojë për mirë”, thotë Nikoliç.
Referendumi i pakuptimtë?: Filip David vlerëson se tema i përshtatet pushtetit dhe opozitës. “Kosova tani është me sa duket çështja kryesore në të cilën opozita ka një qëndrim ndryshe nga Vuçiç, por në të vërtetë ata janë të gjithë kryesisht kundër njohjes së Kosovës. Dhe në qoftë se ata e humbasin temën e Kosovës, atëherë çfarë mbetet tjetër? Të gjitha palët duhet të kenë parimin për të përmirësuar standardin e jetesës për qytetarët, për të luftuar korrupsionin dhe kështu me radhë, kështu kjo çështje do të mbetet për një patriotizëm të rremë”.
Makineria mediatike e qeverisë nuk do të ketë ndonjë efekt në zgjidhjen e këtij problemi, apo në vendimmarrjen e partnerëve botëror, thekson Milan Nikoliç. Ai mendon se ky nuk është një veprim i mençur nga ana e qeverisë për të përgatitur opinionin e publik, për një referendum të mundshëm. Çfarë roli do të kishte referendumi?
“Ne e dimë se çfarë do të sjellë referendumi 70 deri më 80 për qind do të jenë kundër pavarësisë së Kosovës. Dhe çfarë do të bëni me këtë rezultat? A do t’ju themi më pas qytetarëve, “E pra tani na jepni fëmijët tuaj për të bërë ushtrinë, të kthehemi mbrapa ku ishim dhe ata të vdesim me nder?” Atëherë nuk do të pajtoheshin ata. Pra çfarë doni atëherë? “Ne duam që Kosova të jetë ashtu sikur ishte më parë”. E kjo është e pamundur”.
Nikoliç përfundimisht mendon, se referendumi “nuk i shërben askujt”, përveç ndoshta qeverisë të fshihet pas atij dhe ta lerë problemin për ta zgjidhur dikush tjetër./DW