Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se po nuk hyri PD në zgjedhje, zgjedhjet nuk bëhen as sipas Shteteve të Bashkuara!
“Shqipëria ka zgjedhje në 18 qershor. Dhe askush në botën e logjikës elementare demokratike, as nuk e diskuton fare datën kushtetuese të zgjedhjeve, lëre pastaj Shtetet e Bashkuara, Gjermania apo demokracitë perëndimore në tërësi. Vajmedet ku u katandis partia që lindi nga ëndrra për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”, tha kryeministri Rama.
Kryeministri, Edi Rama, e vë theksin tek hapat mbrapa që po bën vendi, duke mos e pasur opozitën në parlament, por në çadër.
“Bojkoti i zgjedhjeve nga PD-ja e disa kryetarë pa parti të ngujuar në çadër për hatër të saj, jo vetëm nuk do ta lerë Shqipërinë pa opozitë në parlamentin e ri, po përkundrazi, ka shumë të ngjarë t’i japë jetë një opozite të re, shumë më sfiduese se sa opozita pa kokë, pa program, pa skuadër e pa edukatë, që pati parlamenti i sotëm”, tha kryeministri Rama
Kryeministri Rama tha se një opozitë që i friket Reformës në Drejtësi dhe refuzon të paraqitet për gjykim përpara popullit, nuk i duhet jo Shqipërisë, shqiptarëve dhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, po as dreqit vetë!