Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka pranuar mandatin e Fierit duke djegur kështu Kejdi Mehmetajn, e cila ishte e dyta në listën e Fierit, ku LSI mori vetëm një mandat. Kryemadhi i dha mundësinë nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili të futet në Kuvend.
Kryemadhi zgjodhi të shkojë në Kuvend si e zgjedhura e qarkut të Fierit, duke i hequr mundësinë Kejdi Mehmetajt për të qenë në Kuvend në shtator. Keidi Mehmetaj në një lidhje me skype në Breaking në TopNews, tha se lajmin e ka marrë nga vetë Kryemadhi.
“Lajmin e kam marrë nga vetë Kryemadhi, kam biseduar me të. Kryemadhi ka dashur vetë qysh para dy vitesh të jetë deputete e Fierit. Në LSI kemi filluar të bëjmë analiza mbi metodologjinë në proçesin e reflektimit brenda LSI-së. Ne nuk e kemi parë garën e brendshme të LSI-së e cila mund të na vërë në presion me njëri-tjetrin. Monika Kryemadhi është deputetja më e votuar në qarkun e Fierit, votuesit e LSI-së kanë votuar për të patur 2 deputetë në Tiranë dhe një në Fier. Unë nuk e kam parë angazhimin tim të lidhur me postet që unë mbaj. Ky rezultat më angazhon të reflektoj, nuk zbehet angazhimi në LSI, pavarësisht çdo gjëje. Gjatë fushatës, mendoj se duhet të ishim më agresiv, rezultati që unë prisja nuk doli”, u shpreh Mehmetaj.
Petrit Vasili i renditur i treti në qarkun e Tiranës, arriti të fitojë vetëm 362 vota, më pak se Kejdi Mehmetaj në Fier e cila arriti të merrte 712 vota.
Vasili renditet me rezultatin më të dobët në zgjedhje për listën e kryeqytetit, krahasuar me figura të tjera të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha, Edmond Haxhinasto, Përparim Spahiu si dhe Floida Kërpaçi.
LSI në zgjedhjet e 25 prillit mori vetëm 4 mandate, 2 në Tiranë, një në Fier dhe një në Shkodër.