Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI-së, kryetarja Monika Kryemadhi tha se dje u dhunua Kushtetuta e shtetit ligjor, e ndërsa shqiptarët refuzuan regjimin monist të Ramës.
Duke e konkretizuar përmes shifrave, kryetarja e LSI-së tha se 85% e shqiptarëve refuzuan votimet, e ndërsa opozita do të marrë përsipër që të zgjidhë këtë krizë.
Në vazhdën e akuzave, Kryemadhi shtoi se shqiptarët folën dje mjaft qartë me mospjesëmarrje, e për LSI-në beteja është për shqiptarët, fëmijët e të ardhmen e tyre.
“Dita e djeshme ishte dhunim i hapur i Kushtetës, por dhe një tentativë e dështuar e krijimit të një shteti monist. Refuzimi total nga shqiptarët, është një sinjal madhor, por dhe një përgjegjësi e madhe për opozitën. Sot sfidat tona janë shumë më të mëdha. Shqiptarët folën qartë dje me mospjesëmarrjen masive, dhe fjala e tyre është përgjegjësi e madhe për ne.
Opozita e bashkuar duhet të marrë përsipër zgjidhjen e krizës. Sot shqiptarët presin nga opozita një Shqipëri që iu ofron atyre një shtet të së drejtës, që iu garanton të ardhmen, lirin e votës, t’iu japin fund maktheve. Për ne nuk mjafton që shqiptarët refuzuan Ramën, por duhet të punojmë fort për të fituar besimin e tyre.
Në këtë vend ka pasur zhvillim, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, por asnjëra nuk lidhet me pushtetin e Ramës. Ne kemi ngritur në majat e ekzekutivit një njeri të papërgjegjshëm, dhe të lidhur me krimin.
Shqipëria po e ndjen këtë në mënyrë dramatike. Me Ramën në krye, po shkojmë drejt izolimit total dhe të pakthyeshëm. Duhet të punojmë fort për qytetarët, 85% e të cilëve refuzuan Ramën dje”, tha Kryemadhi.