Situata në Shqipëri është kthyer në një shqetësim edhe për administratën e SHBA-së dhe për vetë Departamentin e Shtetit.
Zyrtari i lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee pasi u largua nga vendi raportoi para Kongresit amerikan, por në fjalën e tij nuk tha asgjë për Shqipërinë.
Yee foli për Maqedoninë, Kosovën, Bosnjën por për Shqipërinë pritet të raportojë DASH
Gjatë emisionit ‘Opinion’ në TV Klan gazetari Blendi Fevziu u shpreh se gjatë ditës së sotme, DASH do të bëjë një deklaratë publike ku do të japë opinionin zyrtar për zgjedhjet dhe situatën në Shqipëri.
Deri më tani opozita ka pranuar plotësisht paketën e ofruar nga zv/ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee, ndërsa kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar shtyrjen e zgjedhjeve.
Por çfarë tha Hoyt Brian Yee në Kongres ?
Zyrtari i lartë, Yee raportoi para Kongresit amerikan për vizitat e tij në Ballkan. Ai raportoi për punën e përbashkët që po bëjnë strukturat përgjegjëse të shteteve të Ballkanit për te luftuar terrorizmin por theksoi se duhet një bashkëpunim më i fortë sepse në këtë rajon ka pasur individë që janë radikalizuar dhe i janë bashkuar Shtetit Islamik.
Gjithashtu, Yee ka treguar për influencën e Rusisë në Ballkan ku duket qartë se tashmë Rusia nuk ka ndikim vetëm tek shtetet me origjinë sllave por dhe më tepër.
Për Bosnjën ai ka dëshmuar se është një shtet i dështuar nisur nga mënyra se si u krijua në marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995 dhe problemet që janë shfaqur midis boshnjakëve dhe serbëve.
Zyrtari i lartë Yee është shprehur se situata në Maqedoni nuk është aspak e mirë dhe se duhet që palët të bien në një marrëveshje për krijimin e qeverisë.
Për zotin Yee dhuna në parlamentin maqedonas është e papranueshme dhe nxitja për konflikte etnike duhet që të përfundojnë sa më parë.
Gjithashtu, Yee raportoi se Parlamenti i Kosovës nuk ka bërë punën e tij për të cilin është ngritur ky institucion. Parlamenti është bojkotuar dhe nuk ka votuar reformat dhe çështjet kyçe që do ta dërgonin Kosovën përpara.
Yee nuk foli asgjë për situatën politike në Shqipëri, nisur nga fakti që mbi tryezë u kishte lënë liderëve politikë një paketë për zgjidhjen e krizës. Por, nisur nga mosarritja e një kompromisi pritet që DASH të bëjë një raport të plotë për situatën në Shqipëri.
(TIRANA TODAY)