Nga: Gëzim Tushi
Situata që po kalon opozita në tërësi dhe veçanërisht turbulencat ekzistenciale që kanë përfshirë tërësisht Partinë Demokratike si lidere e saj, momentalisht nuk është premtuese, normale dhe ekzistencë politikisht e zakonshme. Ky “diagnostikim” i gjendjes politike është jo aq shumë i lidhur vetëm me problemet e brendshme të saj, sesa për përgjegjësinë ekzistenciale, direkte dhe të tërthortë që ka lidhje me performancën politike dhe kritikën konstruktive ndaj qeverisë Rama. Elita politike e PD-së, e përfshirë në vorbullën e “luftës me veten”, po harron ose nuk po e mban si duhet përgjegjësinë e ndikimit opozitar në “cilësinë e qeverisë” Rama, në të cilën ndikimi dhe roli kushtetues i opozitës duhet të ishte më i plotë, konsekuent, vendimtar.
Opozita shqiptare nuk mund të jetë aq naive dhe e papërgjegjshme, që të mos bëjë dallimin midis “qeverisë” që vjen në pushtet nga zgjedhjet, nga “qeverisja” që është një koncept dhe realitet shumë i gjerë, në të cilin pozita, roli dhe përgjegjësia e saj, është po aq sa edhe e qeverisë. Kjo ide e balancave, e ekuilibrit demokratik, duhet ta detyrojë opozitën, që për ta kryer këtë rol që po e luan dobët, duhet më së pari të bëjë diagnostikimin e sëmundjeve të saj. Në vlerësimin tim politologjik dhe diagnostikimin sociologjik, patologjia e PD-së është shumë faktoriale dhe polidimensionale.
Le të shohim disa prej tyre. Kaosi i strukturës së lidershipit të PDsë është fare evident. Një pjesë e politikanëve të saj, më shumë se kontributivë, shfaqen si prototipa politikisht të deformuar nga koha e gjatë e qëndrimit si “politikanë vegjetativë” dhe pa produkt të matshëm dhe të vlerësuar në politikë. Struktura e PD-së është e mbushur me njerëz të “velur” nga politika, që janë kthyer në rutinierë të zakonshëm që vërtiten rrotull saj në “pritje të Godosë”. Ndërkaq, PD-ja ka gati një dekadë që nuk është në nivelin e duhur të zhvillimit të opozicionit, ngaqë është luhatur pa vendosmëri, midis tronditjeve ekzistenciale dhe qëndrimit timid në përballjen dhe konfrontimet me pozitën dhe qeverinë e saj.
Ka një dekadë që PD më shumë se bën politikë të vërtetë, bën “gjeste videopolitike”, shfaqje televizive thjesht instrumentale, më shumë për të justifikuar “kapitalin politik” dhe ekzistencën e vetes. Një opozitë as luftarake, as luajale, që ka lëvizur nëpërmjet një krize ekzistenciale dhe “dramaturgjisë opozitare” fluide e shumë të diskutueshme. Është patologji evidente fakti që PD-ja sot është në gjendjen e një amalgame të shformuar opozitare, që shfaq dukshëm dobësi ontologjike në luftën e saj politike dhe intelektuale, dhe që nuk inspiron, as të mbush mendjen si alternativë. Shpeshherë edhe programet politike nuk kanë qenë mbushamendëse, sepse në disa raste më shumë se “normative”, ato më janë dukur si “salcë e bërë vetë”.
Jemi në kushtet kur opozita ka humbur kreditet e saj, sepse ka kohë që në vendimmarrjet, planet e veprimit dhe veprimet politike të kryera kanë qenë ose ambiguite, ose janë bërë ose me mendjelehtësi, pa përgjegjësinë e duhur të veprimit dhe qëndrimit konsistent. Të tilla sikurse janë djegia e mandateve të deputetit dhe largimi nga Parlamenti, bojkotimi i zgjedhjeve vendore etj., janë fakte që kanë vërtetuar në mënyrë të sigurt, se politika e saj ka qenë e sipërfaqshme, improvizante, më shumë për efekte e dukje vizive dhe synime spektakolariteti. Ka kohë që edhe pse duket sikur PD-ja si sasi ka “prodhuar politikë” opozitare, në të vërtetë koha ka treguar se kjo politikë ka qenë e “zbrazur nga brenda”. Dhe kjo është përgjegjësi evidente e lidershipit të saj, që e ka çuar opozitën në situatën e krizës së padyshimtë të legjitimitetit të lidershipit aktual.
Kjo situatë ka pasoja, sepse ka bërë që të ketë rënë në kuota të ulëta besimi dhe respekti për opozitën. Një nga sëmundjet e shfaqura të opozitës ka qenë tendenca e përpjekjes për personalizim nga njëra anë dhe lufta aktuale e Lulzim Bashës me “babain e tij adoptiv”, Berisha. Të gjitha këto kanë krijuar një imazh, që ka cenuar konsideratat etike, besueshmërinë publike të PD-së. Sepse ka tetë vjet që nuk është në gjendje të bëjë si duhet opozitë, për pasojë më shumë është marrë me probleme fiktive dhe shumë pak me problemet racionale, që i takojnë dhe që përbëjnë përgjegjësinë e saj direkte dhe të tërthortë, probleme me të cilat ndeshet qeverisja e vendit. Në mënyrë evidente duket distanca e krijuar midis thelbit të politikës aktuale opozitare të PD-së, që është tepër larg nga problemet, me të cilat përballet realiteti politik, ekonomik e social. Më shumë bëhet retorikë politike për “bujë opozitare”, sesa politikë për të ndikuar në qeverisjen më të mirë të vendit.
Mungesa e kompaktësisë, veprimit kolegjial dhe demokratik, është një patologji e zgjeruar që ka kapur në përgjithësi gjithë lidershipin e politikës shqiptare, në pushtet apo në opozitë. Por zhvillimet në opozitën e vendit e kanë evidentuar këtë patologji në formën e një narcizmi individual të z.Basha, i cili kohët e fundit, i ndodhur përballë dhe i përfshirë nga turbulencat e skizmës që i ndodhi Partisë Demokratike, e ka kthyer politikën e saj në një spektakël, të cilin shqiptarët nuk po e marrin seriozisht, sepse më shumë është një lloj mirazhi që ai po e përdor për t’u larguar nga problemet e vërteta që ka PD-ja me veten e vet. Pa dyshim si kurrë më parë, opozita e ndarë më dysh e ka të pamundur të mos përballet me “sëmundje” të tjera sikurse është shfaqja e “politikanëve fluger” apo praninë e politikanëve që janë duke bërë “lojtarin e dyfishtë”. Akoma më keq bëhet situata, kur një pjesë e politikanëve të opozitës më shumë po punojnë për “punët e veta”, sesa për punët e politikës dhe interesat e të gjithëve.
Në këto kushte, kështu si po zhvillohen gjërat brenda PD-së, nuk është kollaj të bësh vlerësim të sigurt apo të flasësh për ekzistencën e një “klase politike” cilësore opozitare. Më shumë se “klasë politike”, opozita e PD-së është ndarë në klane, sekte, grupe interesi, njerëz të fanatizuar apo të idolatrizuar pas lidershipeve respektive. Në vend të ideve, argumenteve, platformave konkrete alternative, politikanët e opozitës e kanë kthyer “gojën politike” thjesht në një krater vullkani që nxjerr nihilizëm, vrer. Duke parë nivelin e aftësive dhe argumenteve të përdorura në debate publike, duken dy tendenca: e para është prania e një numri politikanësh që janë në strukturat drejtuese, që u dallohet në distancë angazhimi vetëm përmes një lloj “mediokriteti partiak” të ngushtë.
Disa të tjerë më të shkolluar dhe kulturalisht më të orientuar, kanë maninë e evidentimit mbi të tjerët, duke ia “bërë vetes me sy”, përmes aftësisë së të menduarit personal, sfilatave politike të personalizuara në Parlament dhe jashtë tij. Në këtë gjendje është momentalisht “kazani” i politikës partizane që zhvillon PDja, dhe, për pasojë, duket sikur ka gjetur rrugën mediokre të zhvillimit të një partishmërie të ngurtë, e cila, pavarësisht dukjes, po i jep “betejës opozitare” nuanca thjeshtëzimi dhe dogmatizmi politikës së saj. Pa dyshim, opozita në tërësi dhe veçanërisht PD si drejtuese e saj, janë tepër larg nga zhvillimet dinamike të politikës. Ato kanë mbetur në format e lëvizjeve boshe, paradigmave të vjetra, të ndryshkura e të kalcifikuara nga koha. Për mendimin tim, e vlerësuar në tërësi, politika që po bën PD-ja, e ka vënë opozitën në pikën më të vështirë historike, më saktë në “pikën e vdekur” të saj.
Opozita po bën një “politikë të vogël” të mbyllur në “kufijtë e vetes”, pa kapur sensin, nevojat pragmatiste të realitetit, sfidave kombëtare, politike, sociale dhe ekonomike. Opozita është akoma në terrenin e ngushtë të politikës së ngushtë apo duke luajtur në hapësirën e “vogëlsirave politike”, që po e asfiksojnë dhe zbehin krediblitetin si alternativë. Opozita që kemi është tejet asimetrike me problemet e jetës së vërtetë. Ajo po bën atë politikë, që nuk është politika, për të cilën ka nevojë vendi. Kjo ka bërë që një pjesë e politikanëve të PD-së nuk e kanë kredibilitetin personal, janë bërë të diskutueshëm, të pabesueshëm në jetën politike publike. Me këta politikanë duket sikur opozita më shumë se po bën politikë, bën spektakle të sforcuara. Edhe kur bën debatin brenda vetes, edhe kur bën sikur bën opozitën ndaj qeverisë.
Në të dyja këto fronte të betejës së saj, opozita është me “këmbë të lëkundura”, jo fort e besueshme. Nuk po flas pastaj për ata që edhe pse janë në opozitë, më shumë se e kanë mendjen të bëjnë dhe të merren me politikë, përpiqen që përmes statusit të politikanit të merren dhe të bëjnë biznes me politikën për interesa të personalizuara. Akuzat reciproke të kohëve të fundit të politikanëve të opozitës ndaj njëri-tjetrit, për afera korruptive dhe mercenarizëm politik, janë të mjaftueshme për ta bërë të besueshëm këtë patologji shumë të rëndë të opozitës. Megjithëse kjo sëmundje është bërë e përgjithshme.
Koha do ta tregojë madhësinë dhe intensitetin e atyre, që politikën e trajtuan si mision dhe atyre që e përdorën politikën si “platformë biznesi”, terren të favorshëm për të bërë korrupsion. Kjo është arsyeja që përditë po shtohen politikanët e pozitës dhe opozitës, që kanë cenuar rëndë parimet e jetës demokratike, figurën e tyre morale, të cilët sot janë të “pambrojtur” përballë erërave të opinionit publik dhe besoj që nesër do jenë të “zbuluar” edhe përpara “erërave të drejtësisë”. Në ka një “kancer” që ka përfshirë politikën shqiptare në këto tri dekada, është që politikanët e kthyen politikën jo në mjet për zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin ekonomik, por në një “derë personale”, që shumë prej tyre i ka çuar drejt pasurimit të padrejtë, korruptiv. Kjo “derë” e ka ndarë shoqërinë, sepse ka krijuar kontradikta të thella midis “njeriut politik” nga njëra anë, që është pasuruar nga politika, dhe “njeriut të zakonshëm” që lufton me jetën për të siguruar mbijetesën.
Kjo ka bërë që një numër jo i vogël i politikanëve të opozitës nuk mund t’i shërbejnë përmirësimit të shëndetit të saj, ngaqë korrupsioni personal i ka bërë njerëz me integritet të lëkundur. Është e vërtetë që opozita në luftën e saj kohët e fundit është bërë tejet sloganiste, në të gjitha debatet që zhvillon me “fraksionet” e qarta brenda vetes apo edhe me pozitën. Dhe mendon se e plotëson kështu misionin e vet politik. Por kjo pozitë nuk është fare opozitarizëm solid, sepse, sikurse dihet, “sloganet nuk janë dhe nuk prodhojnë politikë”. Kjo ka bërë që të evidentohen sforcimet, “dialogët bosh” të politikës opozitare. Lëre pastaj kur dëgjojmë dialogë të neveritshëm, të bërë nga disa politikanë të saj me “cene kulturore”, që flasin pa përgjegjësi, me kulturë, njohuri e koncepte të paqarta. Opozita ka misione dhe funksione kushtetuese.
Edhe kur është në opozitë dhe synon të vijë në pushtet. Nuk mjafton urrejtja opozitare e lexuar si një përpjekje mekanike dhe dëshirë e opozitës thjesht për të zënë vendin e Partisë Socialiste në pushtet. Synimi është i natyrshëm, ky është qëllimi final i opozitës, por kjo realizohet jo me slogane dhe tone urrejtjeje, por me “duel politik” të shëndoshë dhe “dialog të logjikshëm”. Këto sëmundje e kanë sjellë opozitën në situatën më delikate që ka qenë në këto tri dekada, dhe për pasojë ka sjellë pakësim të dukshëm edhe te votuesit, sidomos te “besimtarët e sigurt” të saj. Besoj se duhet vlerësuar përpjekja e opozitës për qarkullimin e elitave brenda saj, por nga ana tjetër duke parë cilësinë e këtij qarkullimi, më duket se ka një nxitim dhe praktikisht elita politike e opozitës aktuale nganjëherë të ngjan si “ekip bebesh”.
Mbase në këtë situatë ka ndikuar nevoja për mbushjen e “vendeve vakante” pas largimit të “heretikëve” të PD-së në “kampin e rithemelimit” apo nga shfaqja e “sëmundjes së makiavelizmit” te lidershipi i saj tashmë i përçarë. Partia Demokratike është në këtë situatë, sepse ka 8 vjet që kaloi nga partia unike e vendosur nën “ombrellën e kryetarit” të saj historik, në një parti pa stabilitet, me lidership të frakturuar. Situata e opozitës tani është në gjendjen “fol të flasim”, duke bërë debate politike pa vlerë cilësore. Premtimet e të dyja palëve nuk kanë besueshmëri, për faktin se vetë PD-ja si trupë politike, jo vetëm është e përçarë, por përjeton një realitet të zymtë. Partia Demokratike midis ekzistencës dhe gjendjes ekzistuese.
Liderët po përpiqen ta kalojnë këtë situatë, duke u bazuar jo aq në ide mobilizuese, por duke u mbështetur në “shokët personalë” të tyre. Në këto kushte, debati midis dy grupimeve është shtresëzuar si betejë që më së shumti shfaqet si një tautologji boshe, pa substancë të vërtetë. Sepse ka kaq pak ide substanciale e të vërteta në këto debate, saqë njerëzve u duken më shumë si “përralla pleqërishte”, që vijnë nga lufta e personalizuar, idetë e hallakatura të bazuara në ambicien personale. Kam dyshim se për të siguruar “unitetin e brendshëm”, opozita ka rrezik t’i shtojë “patologjitë” dhe t’i bëjë lëshime mediokritetit, haraçin e së cilës do ta paguajë nesër, kur do vijë në pushtet…