Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka thirrur për të dëshmuar deputetin e zgjedhur të Partisë Socialiste, Petro Koçi.
Ky i fundit, bëri një deklaratët të fortë pak ditë më parë, ku tha se individë të botës së krimit dhe të drogës, kanë përfituat tendera publikë në Fier. Ditën e djeshme, SPAK hapi një çështje për të verifikuar deklaratën e ish-zv.ministrit të Mbrojtjes.
Koçi nuk përmendi emra konkretë, por i kërkoi SPAK-ut që të reagojë, dhe disa ditë më vonë, duket se ky institucion ka filluar nga puna, për të zbardhur ato që tha deputeti i ardhshëm i parlamentit.
Çfarë tha Petro Koçi
“Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe te korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagoniste të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtareve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrenteve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke lare paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”.