Mediat greke i dhanë sot jehonë debatit në parlament për sigurinë, pas disa vrasjeve të ndodhura në kryeqytet. Ministri i Mbrojtjes Civile, Michalis Chrysochoidis, akuzoi qeverinë paraardhëse “SYRIZA”, të drejtuar nga Alexis Tspiras, që përmes ligjit të njohur si “Paraskevopoulos” liroi kriminelët nga qelitë. Sipas ministrit, janë 117 kriminelë që u liruan nga burgu nga ky ligj i miratuar. Ligji me synimin për të lehtësuar mbipopullimin në burgje u dha liri të parakohshme të dënuarve me probleme shëndetësore.
Debati kaloi në disa shembuj të rikthimit në krime të atyre që ishin liruar, mes të cilëve u mor si shembull edhe shqiptari Neri Musta. Ai ishte dënuar me 14.5 vite burg, por bëri vetëm 4.5 vite dhe doli nga qelia duke përfituar nga ligji që miratoi qeveria e Tsipras. Shqiptari u arrestua në vitin 2015 si bashkëpunëtor në dy vrasje së bashku me Mondi Bajramin, mbi të cilin rëndonin edhe vrasje të tjera. Por më 12 korrik 2019 Musta u la i lirë.
Ministri Michalis Chrysochoidis mori si shembull të pasojës së këtij ligji veprimin që bëri Neri Musta vetëm 20 ditë pasi u lirua nga burgu. Musta mësohet se, me 5 gusht 2019, vetëm 20 ditë pas lirimit, mori pjesë në një grabitje banke në Parga. Prokurori i Prevezës lëshoi një urdhër për arrestimin e tij, por ai nuk u kap edhe pas shumë gjurmimeve.
Mediat greke kanë kujtuar se, goditja e tij e radhës nga Musta do të ishte më 8 shkurt 2020, kur u organizua një operacion i madh policor për të arrestuar tre kriminelë shqiptarë që kishin kryer grabitje në Kalamata, Parga dhe disa qytete të tjera të Greqisë. Policia u përpoq ti bllokonte në Korint, por kur kuptuan se u rrethuan, shqiptarët nxorën armët duke qëlluar në drejtim të policisë. Policia u përgjigj me zjarr dhe në fund dy nga kriminelët u plagosën. Njëri prej tyre u transportua në spitalin e Korintit dhe tjetri në Thriasio.
Nga kjo ndjekje e shkurtit të vitit të shkuar, vetëm njëri shpëtoi dhe ende është i lirë. Ai është pikërisht Neri Musta, për të cilin ka dy urdhër arreste dhe shpërblim për atë që do të tregojë vendndodhjen e tij.