Kremlini tha se shtetet që nuk respektojnë rregullin që të paguajnë me rubla për gazin rus, Rusia do të ndalojë furnizimin e tyre.
Duke folur për transmetuesin publik amerikan, PBS, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se përderisa ai nuk e di se çfarë do të ndodhë me ato shtete që refuzojnë të paguajnë me rubla, “ne do të shohim se çfarë mund të bëhet”.
“Definitivisht, ne nuk do të bëjmë bamirësi dhe të dërgojmë gaz falas për Evropën Perëndimore”, tha ai.
Kjo çështje buron nga vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili javën e kaluar urdhëroi Bankën Qendrore ruse, Qeverinë dhe gjigantin e energjisë, Gazprom – që kontrollohet nga shteti – që të prezantojnë propozime deri më 31 mars lidhur me pagesat e gazit për “shtetet jomiqësore”, përfshirë të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.
Vendimi i Putinit është në përgjigje të sanksioneve të ashpra perëndimore për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska.
Ndërkaq, grupi i shtatë shteteve më të industrializuara tha se është pajtuar që të refuzojë kërkesën e Kremlinit për pagesën me rubla për energjinë ruse, duke thënë se kjo paraqet shkelje të kontratave ekzistuese.
Peskov po ashtu foli edhe për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në përgjigje të çfarëdo kërcënimi ekzistencial për Rusinë, dhe tha se “askush nuk po mendon për përdorimin –as për idenë e përdorimit të armëve bërthamore” sa i përket konfliktit në Ukrainë.
Ai po ashtu tha se ushtria ruse nuk po sulmon caqet civile në Ukrainë, pavarësisht se për këtë ka të dhëna nga gazetarët, hulumtuesit dhe videot e publikuara në rrjetet sociale që shfaqin shkatërrimin e ndërtesave të banimit, qendrave tregtare, spitaleve dhe shënjestrave të tjera civile. /evropaelire