KQZ vendos, ja kur do të shpallet rezultati i zgjedhjeve parlamentare

Komisioni Rregullator ka vendosur që t’u caktojë KZAZ-ve një orar maksimal deri kur mund të shpallin rezultatin e tyre të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Në mbledhjen e sotme, me vota unanime, 5-0 është vendosur që KZAZ do duhet të nxjerrin rezultatin para orës 08:00 të së nesërmes së ditës të votimit.

“Pas dorëzimit nga KQV pranë KZAZ të pajisjeve dhe materialeve përkatëse, KZAZ mbyll ambientet ku do të kryhet numërimi. Rezultati do të shpallet të nesërmen e ditës së votimit, pra në orën 08:00. Gjatë natës ambienti vëzhgohet nga kamerat të cilët sigurojnë regjistrimin dhe transmetimin e pamjeve gjatë gjithë kohës në serverin e KQZ-së. KQZ-ja u mundëson subjekteve zgjedhore me kërkesë të tyre të shikojnë nga pajisjet e tyre pamjet e ambientit ku ruhen materialet zgjedhore”, thuhet në propozimin e ri që u miratua në mbledhjen e sotme.

Në zgjedhjet e kaluara, KZAZ ka pasur afat deri në orën 00:00 të ditës së nesërme të votimit për të nxjerrë rezultatet, teksa me vendimin  ri është bërë 08:00.