Koronavirusi është shndërruar në armikun më të madh të njerëzimit, mirëpo tokës i ka kthyer “frymëmarrjen”.
Duke qenë se aktivitetet industriale janë mbyllur si pasojë e COVID-19, është ulur përkohësisht edhe niveli i ndotjes së ajrit, thonë ekspertët.
Këtë e dëshmojnë më së miri imazhet satelitore nga Agjencia Evropiane e Hapësirës.
Një ekspert pohoi se ky “ndryshim i papritur” ka reduktuar ndjeshëm emetimet industriale dhe për pasojë edhe ajri që thithim aktualisht është më i pastër, krahasuar me muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Raportohet se gjatë gjashtë javëve të fundit, nivelet e dioksidit të nitrogjenit (NO2) mbi qytetet dhe zonat industriale në Azi dhe Evropë ishin dukshëm më të ulëta.
Dioksidi i nitrogjenit prodhohet nga motorët e makinave, termocentralet dhe proceset e tjera industriale dhe përkeqëson ndjeshëm shëndetin e njerëzve.
Vlen të theksohet fakti se ulja e nivelit të ndotjes, është një nga të vetmet gjëra pozitive që ka shkaktuar virusi i rrezikshëm i cili fillimisht u përhap në Wuhan të Kinës.
Tanimë, duket se toka po merr frymë sërish…dhe ne bashkë me tokën!