Merr fund pas më shumë se 5 orësh përplasja mes qytetarëve dhe punonjësve të Përmbarimit dhe efektivëve të Policisë së Shtetit për pronat pranë “Petro Nini Luarasit”.
Punonjësit e përmbarimit janë larguar duke lënë pas tensionet e shkaktuara prej orësh. Një nga avokatët e pranishëm në vendngjarje ka deklaruar se objekti nuk duhej të ruhej nga Policia e Shtetit dhe se duhej të kishte distancë edhe nga përmbaruesit.
Avokatët e banorëve i kanë bërë thirrje ministrit të Brendshëm Lleshaj që të ndërhynte pasi kishte një rrezik të vetëflijimit të banorëve.
Këta të fundit deklaruan se nesër punonjësit e përmbarimit do të kthehen sërish, por ata do rezistojnë në të njëjtën mënyrë.