Komiteti Teknik i Ekspertëve ka njoftuar sot masat e reja për pandeminë e COVID-19. Komiteti Teknik ka vendosur që të heqë kufizimin e numrit të personave deri në 50 nëpër grumbullime në aktivitete të ndryshme dhe të mbushjes së kapaciteteve deri në 30 për qind të hapësirave ku bëhen këto aktivitete. Sakaq, mbeten në fuqi të gjitha masat e tjera duke përfshirë dhe mbajtjen e maskave.
Mira Rakacolli: Duke u bazuar në analizën e indikatorëve që monitorojnë situatën, Komiteti Teknik i Ekspertëve në lidhje me nivelin e masave, vendosi të heqë kufizimin e numrit të personave deri në 50 nëpër grumbullime në aktivitete të ndryshme shkencore, kulturore, sportive dhe të mbushjes së kapaciteteve deri në 30 për qind të hapësirave ku bëhen këto aktivitete.
Vijon të mbetet në fuqi urdhri për mbajtjen e maskave.
Eugena Tomini: Ulje të prekjes së grupmoshave në përgjithësi të popullatës. Procesi i vaksinimit ka vijuar me të njëjtat ritme në të gjitha pikat e vaksinimit. Edhe pse në nivele të qëndrueshme, duhet të jemi në kushtet e një vaksinimi të plotë të popullatës.
Najada Çomo: Kemi ulje të numrit të të shtruarve në spital. Vihet re se numri i pacientëve që paraqiten në spital është deri në 3 brenda 24 orëve. Për herë të parë ndodh që mbizotëron numri i të shëruarve, krahasuar me numrin e të infektuarve. Është minimizuar numri i të infektuarve që kanë ndërruar jetë.