E hënë, 6 Dhjetor, 2021
9.5 C
Tirana

Kodi për zbërthimin e “Trinisë së Shenjtë” të aksionit opozitar!

Nga: Alfred Peza

Një nga gjërat që kemi mësuar herët në shkollë, është përkufizimi sipas të cilit, që një trup të qëndrojë në ekuilibër duhet që të mbështetet, të paktën mbi tri pika. Nga kjo domosdoshmëri duket se buron në të gjitha teoritë e numerologjisë, edhe magjia e numrit tre. I cili konsiderohet si një numër hyjnor, në të gjitha fetë e njohura sot në botë.

Me këtë numër, është e lidhur një nga doktrinat më të përmendura, e cila njihet si “Trinia e Shenjtë”: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Në Bibël thuhet se ka vetëm një Perëndi, ndaj përdoret termi Trini (tre në një). Sipas ekspertëve të fushës, kjo është një mënyrë për të pranuar atë që zbulohet në Bibël: Perëndia është tre “Persona”, që kanë të njëjtin thelb hyjnor!

E ashtu si në jetën e përditshme në fizikë, metafizikë dhe në doktrinën e krishterë, opozita shqiptare po zbaton në praktikë, “Trininë” e saj politike. Nëpërmjet aktit “in extremis” për djegien “on block” të mandateve të deputetëve të saj, opozita jonë synon që të fitojë pushtetin në tavolinë, nëpërmjet bllokimit të reformës në drejtësi; pengimit të procesit të integrimit të vendit në BE dhe humbjes së saj të sigurtë në zgjedhjet lokale.

Si ta kuptojmë më thjeshtë “Trininë e Shenjtë” politike, të cilën opozita jonë, po e përdor për ti rikthyer vetes, ekuilibrin e pushtetit të humbur:

a.- Nëpërmjet aktit të daljes nga sistemi parlamentar nëpërmjet djegies së mandateve të deputetëve, opozita synonte të bllokonte mundësinë numerike për miratimin në sallën e Parlamentit të vendimeve dhe ligjeve, në funksion të ngritjes së sistemit të drejtësisë së re. Ngritja dhe fillimi i funksionimit të SPAK dhe BHK, është frika më e madhe e elitës së korruptuar dhe kriminalizuar të politikës shqiptare, të këtyre 30 viteve të fundit.

Kjo tentativë e opozitës rezultoi e dështuar. Deputetët e rinj të Parlamentit po mbushin sallën, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) i caktoi anëtarët e Komisionit të Posaçëm për Vlerësimin e kandidatëve për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Këto ditë janë po hidhen hapat e fundit për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) sipas modelit të FBI amerikane. Të dy këto institucione, janë tmerri i gjithë të paprekshmëvë që instaluan e përfituan në këto tri dekada, nga kultura e pandëshkueshmërisë të ngritur në sistem, nga drejtësia e vjetër.

b.- Dalja e opozitës nga sistemi legjislativ i vendit, duket një akt i kalkuluar politik, me synimin për të bllokuar edhe vendimin e çelies së negociatave për anëtarsimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky vendim për Shqipërinë ishte caktuar që të merej në qershor, sëbashku me Maqedoninë e Veriut, e cila një vit më pare ka qenë pas nesh në këtë proces.

Duke e ditur mirë se një nga kushtet kyçe për hedhjen e ketij hapi pozitiv nga ana e Brukselit, është e lidhur me klimën e bashkëpunimit mazhorancë- opozitë brenda vendit aspirant, si PD ashtu edhe LSI e aleatët e tyre e hodhën në erë këtë mundësi, me koshiencë të plotë. Llogaria djallëzore me sa duket ka qenë e qartë: Nëse Shqipëria e mer në qershor datën e fillimit të negociatave për anëtarsimin në BE, në sytë e publikut dhe votuesve shqiptarë, ky hap do të përkthehej automatikisht si sukses i mazhorancës. Çka do të ndikonte pozitvisht për PS dhe Edi Ramën, në rezultatin e procesit të votimeve të 30 qershorit. Ky është kazusi më përfaqësues që vërteton në praktikën shqiptare, se liderët tanë politikë në opozitë, vendosin partinë mbi Shqipërinë, kolltukun e tyre mbi ardhmërinë europiane të shqiptarëve.

c.- Dalja e opozitës nga sistemi parlamentar, siç duket edhe nga kjo analizë e “Trinisë” së saj politike, bëhet për të justifikuar humbjen e sigurtë në zgjedhjet për 61 kryetarët e rinj të bashkive të vendit. Lulzim Basha qëshkurse ka ardhur në krye të PD pas zgjedhjeve të 2013, i ka humbur të gjitha proceset zgjedhore në të cilën e ka udhehequr opozitën shqiptare. PD jo vetëm i humbi zgjedhjet e 2015, por bëri dhe gabimin e mosmarrjes pjesë në komisionin parlamentar për ndarjen administrativo- terrritoriale të vendit.

Lulzim Basha para zgjedhjeve të 2017, e futi PD në çadër në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, derisa në mesnatën mes 17 dhe 18 majit arriti marrëveshjen politike me Kryeministrin Rama. Opozita për herë të parë në histori kishte më shumë se gjysmën e ministrave në qeveri, përfshi atë të Brendshëm e kryetarin e KQZ si dy institucionet e administrimit dhe çertifikimit të proceseve elektorale, shumë drejtues të institucioneve kushtetuese dhe agjensive më të rëndësishme shtetërore. As kjo nuk e shpëtoi dot PD e Bashës, e cila mori 240 mijë vota më pak se PD e Sali Berishës, 4 vjet përpara.

Historia politike e postkomunizmit tregon se me përjashtim të 1992, kur Shqipëria u bë pjesë e një procesi ndryshimesh historike pas rrëzimit të Murit të Berlinit në Europën Lindore, në të gjitha zgjedhjet e tjera e djathta nuk e ka mundur dot të majtën. I vetmi rast kur PD ka fituar fituar është ajo e 2005, kur e majta mundi veten pas çarjes së PS në 2004, nga krijimi i LSI së Ilir Metës. Humbja e tretë dhe e vërtetë e Lulzim Bashës në zgjedhjet e këtij viti, rrezikojnë seriozisht karrierën e tij politike brenda së djathtës, e cila do kuptojë se ka në krye një lider humbës të përjetshëm.

Kjo është edhe arësyeja se përse këto zgjedhje, shihen si “lufta finale” për opozitën. Me gjithë përpjekjet e hatashme, liderët e opozitës nuk po ia dalin dot që ta përçajnë PS-në. Ndaj e vetmja mundësi që i ka mbetur për tu rikthyer në pushtet, është rruga që po ndjekin prej afro dy muajsh. Nëpërmjet trinisë politike të; – bllokimit të reformës në drejtësi; – procesit të integrimit dhe; – humbjes në zjedhje, të përmbledhura në një. Në synimin themelor për fitoren e pushtetit, në tavolinë. Siç do të thoshte Tertuliani, ky synim është pema e gjithë aksionit politik të opozitës. Ndërsa trinia janë rrënjët, trungu dhe degët e saj!

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

S’ka më sekrete/ Ja kur do të mbahet Festivali i 60-të i Këngës në RTSH

Edicioni i 60-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të përfcillet LIVE për publikun shqiptar në mbrëmjet e 27,28 dhe 29...

Ekzekutimi i ish-deputetit, bashkëshortja nxjerr emrat dhe ndryshon dëshminë

Natalina Ujka, bashkëshortja e biznesmenit shkodran Pashko Ujka, ka treguar për grupin hetimor se personat me të cilët bashkëshorti i saj ka pasur konflikte...

Misteret e pazgjidhura të Luftës së Dytë Botërore

Ne të gjithë i duam misteret, dhe Lufta e Dytë Botërore siguroi shumë të tilla. Shkalla e madhe e luftimeve dhe e taktikave të tokës së djegur, solli...

Ish-banori i “Big Brother”: Donaldi nuk është fitues, mes çiftit s’ka dashuri

Ish-banori i “Big Brother”, Adi Pojana, teksa ishte i ftuar në studion e “Shqipëria Live”, ka komentuar lidhjen e shumëpërfolur mes Donaldit dhe Beatrix. Për...

“Shkelje financiare”, arrestohet presidenti i klubit italian

Presidenti i një prej klubeve të Serisë A është vënë në pranga, për shkelje financiare mes të cilave edhe deklarimin e falimentit të kompanive...