Klubi i njohur gjerman nis negociatat me futbollistin e Kombëtares

E gjithë bota e futbollit është përfshirë në vorbullën që ka krijuar nisma e re e klubeve më të rëndësishme të Europës, të cilat po synojnë të ndërtojnë Super Ligën.

Mirëpo, në Champions-in aktual, mund të shtohet një tjetër shqiptar sezonin e ardhshëm. Frankfurti, i renditur në vend të katërt në Gjermani, është vënë pas Klaus Gjasulës.

Mediat gjermane bëjnë me dije se “Gladiatori” i Kombëtares është një ndër emrat që shihet me kujdes dhe për të cilin raportohet të kenë nisur negociatat për një mundësi transferimi në përfundim të këtij sezoni.

Gjasula kaloi një dëmtim në fillim të këtij viti, por tanimë është rikthyer i gatshëm për finalen e sezonit.

Mesfushori është nën kontratë me Hamburgun edhe për sezonin e ardhshëm, deri në verën e vitit 2022, skuadër e cila është ndër pretendentët për të siguruar një biletë në Bundesligën 1 për sezonin e ardhshëm.