Këshilli i Lartë i Gjyqësorit ka rrëzuar kërkesën e gjyqtarit Guximtar Boçi, për tu rikthyer në detyrë. Ish-kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës u shkarkua nga detyra në vitin 2016 nga KLD, për shkak të një skandali seksual.
Në seancën e zhvilluar këtë të martë, KLGJ ka rrëzuar kërkesën e Boçit për t’u rikthyer në detyrë, pas pezullimit në vitin 2016 nga KLD, (Këshilli i Lartë i Drejtësisë).
KLD e pezulloi Boçin nga detyra, pasi Prokuroria për Krimet e Rënda kishte nisur hetimin ndaj tij për “korrupsion pasiv”. Pavarësisht denoncimit me zë dhe figurë në media, hetimi ndaj Boçit nuk arriti të provojë fajësinë e tij.
Ish-gjyqtari Boçi ka drejtuar kërkesa në mënyrë të përsëritur në KLD prej 09.06.2017 e në vazhdim, duke kërkuar rikthimin në detyrë. Kërkesat e tij nuk janë marrë në shqyrtim.
Shkarkimi i gjyqtarit Boçi u mbështet në disa fakte të bëra publike në media, në një emision investigativ. Ai akuzohej për afera seksuale dhe korrupsion pasiv.