Pas aksidentimit të Izet Haxhisë dhe deklaratave të forta të bëra nga avokati i tij, Idajet Beqiri, duke u shprehur se po tentohej eliminimi i tij, ka ardhur sërish një tjetër reagim nga ky i fundit.
Përmes një deklarate, avokati sqaron incidentin e ndodhur më 9 tetor, ku klienti i tij, Izet Haxhiaj u lëndua në fugonin e policisë. Beqiri deklaron se Haxhiajt i është kërkuar që të ngrihet nga fugoni dhe në atë moment, sipas tij, mjeti ka frenuar ashpër. Sipas tij, si pasojë e frenimit, Haxhiajt i është përplasur koka në kafazin e fugonit.
“Izet Haxhiaj insiston se veprimet që u kryen në datën 9 tetor 2019 ishin të qëllimta dhe me mesazhin e vetëm që të mbyllte gojën sepse kishte folur e deponuar shumë kundër Sali Berishës për 6 ditë me radhë. Mirëpo është vetëm fillimi i deponimeve. Nuk janë përfunduar ende deponimet për 1/3 e akuzave që ai ka bërë ndaj ish Presidentit të Republikës Sali Berisha”, sqaron avokati.
DEKLARATA E BEQIRIT
E vërteta e asaj që ndodhi në datën 9 tetor 2019 me Izet Haxhinë dhe kur do të vazhdojë ai të jap deklarime në Prokurorinë Krimeve të Rënda. Në datën 9 tetor 2019, rreth orës 09.00 të mëngjesit, Izet Haxhiaj do të shoqërohej për të shkuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku do të vazhdonte dhënijen e deklarimeve kundër ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, i kallëzuar penalisht për kryerjen e 23 krimeve të rënda, duke filluar nga një numur i konsiderueshëm vrasjesh, e deri te disa akte të rënda terroriste, grabitje e vjedhje, etj.
Ka dhënë spjegime për 36 orë me radhë, në 6 ditë.
Burgu 302, ku është i paraburgosur Izet Haxhiaj, e ka siguruar dhe e trajton atë me korrektësinë më të madhe. Pra, në incidentin e rëndë të ndodhur në datën 9 tetor kundër Izet Haxhiaj, Burgu 302 nuk ka asnjë lidhje dhe asnjë përgjegjësi. Përkundrazi, drejtuesit e tij kanë bërë detyrën me qëllim që ngjarja të zbardhet deri në fund prej strukturave të policisë dhe të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ditën e mërkurë, në datën 9 tetor, ora 09.00 do t’a çonin te Prokuroria e Krimeve të Rënda për të vazhduar ditën e 6 të deponimeve…Fillonte në orën 9.00 dhe mbaronte në orën 15.00. Gjithë natën kishte qënë i sëmurë. Temperatura i kishte shkuar deri 40 grad. Është qetësuar me ilaçet që ka përdorur natën. Për shkak të mos ndërprerjes së deponimeve që kishte filluar të jepte te Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka vendosur të shkoj.
Ndryshe nga ditët e tjera, grupi i shoqërimit i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që e merrte në dorëzim te Burgu 302 në orën 09.00, te Rruga “Mine Peza”, me përgjegjës grupi një me origjinë nga Tropoja, donte t’i vinte prangat me duartë nga pas. Ndërsa 6 ditët e tjera prangat i ka patur me duartë përpara.
Izet Haxhiaj, nuk e ka pritur mirë këtë veprim. Ka parë hile tek përgjegjësi i grupit të shoqërimit, sepse e njihte si tropojan dhe nuk ka pranuar t’i vinin prangat nga pas.
Pas shumë debatesh, kur Izet Haxhiaj nuk ka pranuar të hipi në furgon me pranga pas dhe u ka thënë se nuk donte të shkonte te Prokurori, përgjegjësi i grupit të shoqërimit nuk ka insistuar më dhe e ka hipur në furgonin e policisë me prangat e vëna në duar përpara. Makina, megjithëse rruga te Mine Peza është me trafik të rënduar, ka ecur me një shpejtësi tepër të madhe, thotë Izet Haxhiaj.
Një polic, që ndodhej në sedilen përpara kafazit të furgonit, i ka bërë shënjë Izetit të afrohej tek telat e izolimit të kafazit. Në momentin që Izet Haxhiaj po ngrihej në këmbë, mjeti ka bërë një frenim të ashpër, si për aksident! Trupi i Izet Haxhisë nga inercia ka përfunduar te hekurat e kafazit, duke i rënë me kokë. Është goditur mbi vetullën e djathtë, te balli. Shenjat e ënjtjes dhe të çarjes dalloheshin qartë në ballin e Izet Haxhisë edhe dje, në datën 12 tetor 2019, të cilat i dëshmoj me përgjegjësi pasi i konstatova vet në takimin që pata dje për një kohë të gjatë me të në Burgun 302.
Goditja ishte shumë e rëndë, më tha Izet Haxhiaj, dhe pësova një trubullim sa humba vetdijen. Megjithëse u godit rëndë, duke e ndjerë dhembjen, këtë mënyrë frenimi të mjetit pa shkak, e përsëritën edhe disa herë të tjera. Ishte e qëllimshme, më pohoi Izet Haxhiaj, dhe nëse do të isha me prangat në duar nga pas, goditja në kokë do të ishte fatale.
Për këtë ngjarje është bërë një kallëzim penal. I kanë shkuar Izet Haxhisë në Burgun 302 përfaqësuesit e SHKB, oficerët e policisë gjyqësore dhe i kanë marrë deklarimet me korrektësi… E kanë çuar te Mjeksia Ligjore te Spitali Nënë Tereza dhe eksperti ka përpiluar raportin mjeko ligjor. Pra ka nisur një procedim penal.
Izet Haxhiaj insiston se veprimet që u kryen në datën 9 tetor 2019 ishin të qëllimta dhe me mesazhin e vetëm që të mbyllte gojën sepse kishte folur e deponuar shumë kundër Sali Berishës për 6 ditë me radhë. Mirpo është vetëm fillimi i deponimeve. Nuk janë përfunduar ende deponimet për 1/3 e akuzave që ai ka bërë ndaj ish Presidentit të Republikës Sali Berisha.
Nga ana tjetër, gjatë deponimeve që ka bërë, njëra apo tjetra ngjarje, i ka zgjuar kujtesën për vepra të tjera penale të rënda që janë kryer dhe që numurin e akuzave nga 23 që ishin në dhjetor 2018, kur është bërë kallëzimi penal, tashmë është rritur në 30 akuza kundër Sali Berishës.
Institucionet ligjzbatuese të shtetit nuk po i vlerësojnë me gjithë seriozitetin e duhur gjithçka që po deponon me përgjegjësi të lartë ligjore Izet Haxhiaj. Statusi i tij po mbetet thjeshtë i një “të pandehuri”, çka nuk e ndihmon aspak zbulimin e plotë 30 krimeve me pasoja tragjike të kryera gjatë viteve 1991-1999, siç janë vrasjet e një numuri të konsiderueshëm njerëzish, një numur i konsiderueshëm aktesh terroriste të kryera, një numur i madh personash që kanë bërë trafiqe njerëzore me pasoja të rënda në jetë njerëzore, grabitje dhe vjedhje të rënda të pasurisë etj, ende të pa zbardhura deri më sot.
Izet Haxhiaj i ka ndërprerë komunikimet me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe nuk po deponon më asgjë, derisa të sqaroj mirë me autoritetet përkatëse ligjzbatuese, përmes mbrojtjes së tij ligjore, pozitën e tij aktuale dhe në të ardhmen. Theksojmë për opinionin publik shqiptar se këto deponime që po jep Izet Haxhiaj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, janë një proces më vete dhe nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ish deputetit Azem Hajdari. Proçesi për vrasjen e Azem Hajdarit është i hapur dhe do e rigjykoj Gjykata e Shkallës së Parë.
Momentalisht çështja është pezulluar sepse Gjykata e Shkallës së parë për Krime të Rënda ka shpallur konfliktin e kopetencës. Kjo do të thotë që Gjykata e Lartë, kur të krijohet, do të vendos së cila Gjykatë është kopetente për të rigjykuar nga fillimi çështjen e vrasjes së Azem Hajdarit dhe nëse ka apo jo përgjegjësi Izet Haxhiaj për të, Gjykata e Shkallës së parë Tiranë Tiranë, apo Gjykata e Shkallës së Parë Për Krime të Rënda.
Av. IdajetBeqiri