Këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare, Fatmira Breçani ishte e ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Soiree”, një natë kushtuar Tropojës.
Teksa fliste për qytetin e saj të lindjes, Breçani ka treguar edhe për fillimet e saj në botën e muzikës dhe sukseset e arritura.
Po ashtu, këngëtarja ka rrëfyer se ka kënduar para shumë politikanëve. Duke filluar nga diktatori Enver Hoxha deri tek dasma e vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha
“Të gjithë politikanët më kanë përkrahur për zërin që kam. Kam kënduar përpara Ramiz Alisë, përpara Enver Hoxhës, pra përpara të gjithëve”, tha ajo.
Ka qenë vetë drejtuesja e emisionit, Jonida Shehu ajo që e ka pyetur nëse janë të vërteta aludimet që ka kënduar tek dasma e vajzës së Sali Berishës.
“100% e vërtetë është. Unë dhe Gëzim Nika kemi qenë përfaqësues së Tropojës. Aty ka patur këngëtarë të tjerë, Françesk Radi që dritë pastë, Mira Konçi etj. Dasma ka patur muzikë të ndryshme, por Tropojën e mbulonim ne”, tha Breçani.