Eksperti amerikan i gjeopolitikës botërore, George Friedman, thekson se Bashkimi Evropian po përjeton një nga krizat më të mëdha me kombet që duan të shpallin pavarësinë. Duke iu referuar rastit të Katalonjës, Friedman shkruan se unioni ka arritur në një fazë të tillë që nuk po nuk po arrin të kontrollojë dot kombet që e përbëjnë atë.
Në një analizë për “Geopolitical Futures”, Friedman shpjegon se Evropa duhet të reflektojë përballë kësaj situate, pasi Katalonja nuk është rasti i vetëm nëse i referohemi Brex-it dhe përpjekjes së Skocisë për t’u shkëputur nga Britania e Madh. Për këtë arsye, Friedman ka një apel për Brukselin që sipas tij, duhet të marrë në konsideratë atë që ndodhi pas viteve 1990 me shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë.
Analiza e plotë:
Për shekuj me radhë, Evropa ka zhvilluar luftëra përtej kufijve të saj. Gjatë shekullit XIX-të dhe gjysmës së parë të shekullit XX-të, kufijtë e Evropës ndryshuan me dhunë, perandoritë u fragmentuan, lindën kombe të reja dhe u zhvilluan luftëra të përgjakshme. Pas vitit 1945 dhe fillimit të Luftës së Ftohtë, në kontinent u shfaq një parim i ri. Kufijtë që ekzistonin deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore u konsideruan të shenjtë, dhe për pasojë nuk duhej të ndryshonin. Përplasja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik në Evropë, ishte jashtëzakonisht e rrezikshme.
U kuptua që mosmarrëveshjet kufitare, kishin qenë në origjinë të të dyja luftërave botërore, dhe se ngritja e çështjes së legjitimitetit të kufijve të pasluftës, rrezikonte ndezjen e pasioneve që çuan më herët në dhunë. Evropianët e pranuan në përgjithësi, se jetesa me kufij të paarsyeshëm apo të padrejtë, qe shumë më e mirë sesa përpjekja për t’i ndrequr ato.
Kësisoj, gjatë Luftës së Ftohtë, çështjet e kufijve u ngritën në raste shumë të rralla, dhe kur kjo ndodhte, debatet zakonisht fashiteshin shumë shpejt. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik po lëshonin shkëndija ndaj njëra-tjetrës, dhe asnjëra nuk e dëshironte një luftë te re botërore mbi kufijtë e Evropës, dhe as nuk i besonin arsyes së politikanëve evropianë, veçanërisht pas luftërave të gjysmës së parë të shekullit të XX-të.
Ngjashëm, po aq të paprekshme qenë edhe sferat ekzistuese të ndikimit në kontinent. Ishte Lindja dhe Perëndimi, dhe askush nuk do të ngatërrohej në punët e njëri-tjetrit. Kështu, kur sovjetikët shtypën lëvizjet për pavarësi nga Moska, në Hungari dhe Çekosllovaki, Shtetet e Bashkuara hezituan të ndërmarrin çfarëdolloj veprimi ushtarak (në fakt, nuk kishte shumë opsione në dispozicion të Uashingtonit).
Kur Jugosllavia zgjodhi një neutralitet pro-perëndimor, mbi anëtarësimin në Paktin e Varshavës, sovjetikët mund të ishin kundërpërgjigjur duke mbështetur lëvizjet e pavarësisë në shtetet anëtare të Jugosllavisë, por nuk e bënë diçka të tillë. Kufijtë dhe sjellja e pamatur e udhëheqësve të Evropës mbi ato kufij, shkaktuan vdekjen e dhjetëra miliona njerëzve. Amerikanët dhe sovjetikët ishin më të kujdesshëm, pjesërisht për shkak se kufijtë e tyre nuk qenë të rrezikuar.
Në vitet 1991-1992, ndodhën dy gjëra. Së pari shembja e Bashkimit Sovjetik; më pas nënshkrimi i Traktatit të Mastrihtit, dhe krijimi i Bashkimit Evropian. Çështjet kufitare filluan të diktojnë sërish kursin e ngjarjeve. Kufiri i Bashkimit Sovjetik u rrënua, dhe një numër vendesh u përpoqën të rifitojnë të shkuarën e tyre.
Kishte shumë pikëpyetje në lidhje me kufijtë që duheshin ripërcaktuar. Kufiri midis Ukrainës dhe Bjellorusisë, ishte zhvendosur shumë më në perëndim në vitin 1945. Kufijtë në Kaukaz, qenë dizajnuar shumë keq. Kufijtë në Azinë Qendrore ishin teorikë. Edhe kufijtë midis vendeve të Evropës Lindore, kanë qenë subjekt i mosmarrëveshjeve të lëna pezull.
Për vendet e Evropës Lindore, përparësi morën probleme të tjera: vendosja e sovranitetit kombëtar, gjetja e vendit të tyre në një Evropë së cilës ata dëshironin t’i bashkoheshin, dhe ndërtimi i një jete të re për popullin e tyre. Në pjesën dërrmuese të rasteve, ata i hodhën pas krahëve çështjet kufitare. Jugosllavia dhe Kaukazi, ishin përjashtime që ofruan një tjetër leksion të hidhur mbi kufijtë evropianë.
Atje, jashtë kornizës së BE dhe me pasoja të pakta për të tjerët, vdiqën më shumë se 100.000 njerëz. Krahasojeni këtë me Divorciin e Kadifejtë të çekëve dhe sllovakëve, që ndodhi në kontekstin e shteteve të ardhshme evropiane, dhe që nuk shkaktoi asnjë viktimë. Pas kësaj, dhe me Jugosllavinë dhe Kaukazin në mendje, Bashkimi Evropian u përpoq të rivendoste parimin se kufijtë ishin të shenjtë.
Ai siguroi atë që kishte premtuar – paqen dhe prosperitetin – dhe i trajtoi kufijtë si anakronikë. Askush nuk duhej të shqetësohej se ku ishte hequr vija kufitare. Por pati një problem. BE-ja e afirmoi parimin e vetëvendosjes kombëtare, duke shmangur çështjen se çfarë është aktualisht një komb. Një komb ishte, nën përkufizimin e unionit, çdo entitet politik që ekzistonte në kohën kur u formua Bashkimi Evropian.
Pas kësaj nuk pati shumë shqyrtime kontestesh kufitare. Kjo është arsyeja pse Katalonja është aq e rëndësishme, së bashku me Skocinë. Skocezët refuzuan një divorc të mundshëm nga Britania, me një rezultat çuditërisht të ngushtë në referendumin e disa viteve më parë. Dikush mund të kishte pritur që 90 për qind e skocezëve të dëshironin të qëndronin në Mbretërinë e Bashkuar. Por vetëm pak më shumë se 55 për qind e tyre e donte këtë, çka do të thotë se separatistët janë shumë pranë shkëputjes – gjë që nëse ndodh do të ndante jo vetëm Skocinë nga Anglia, por do të ruante gjithashtu edhe ndarjen midis vetë skocezëve.
Shtojini kësaj një tjetër element kritik. Katalonja ka qenë prej një kohë të gjatë pjesë e Spanjës, por e ka konsideruar veten një vend unik për një kohë edhe më të gjatë. Madridi nuk do të legjitimojë asnjë votim pro pavarësisë. Çështjet themelore, janë ato që evropianët u përpoqën t’i “varrosnin”, veçanërisht pas Jugosllavisë: Çfarë është një komb, dhe cilat janë të drejtat e tij? Si Skocia ashtu edhe Katalonja janë vende. A kanë pra ato të drejtën e vetëvendosjes kombëtare, apo e kanë humbur këtë të drejtë? Dhe cilat janë pasojat, nëse katalanasit nuk bien dakord me këtë?
Kjo nuk është e vetmja çështje që po debatohet në Evropë. Hungaria u nda midis Rumanisë dhe Sllovakisë. A ka ajo të drejtë të kërkojë kthimin e territoreve të humbura? Belgjika qe një shpikje britanike, që detyroi holandezët dhe francezët të jetojnë bashkë në një martesë të palumtur. A mund të divorcohen ata? Lvivi ishte një qytet shumë polak, por që tashmë është pjesë e Ukrainës. A mund të shkëputet Ukraina perëndimore, dhe qytetarët e saj t’i ribashkohen vendeve ku ishin pjesë para vitit 1945?
Bashkimi Evropian premtoi prosperitet universal për të gjithë, nëse ata linin pas dore çështjen e kufijve, dhe injoronin identitetin e tyre kombëtar. Ishte një ujdi e mirë. Por kohët kanë ndryshuar, dhe problemet ekonomike i kanë bërë kufijtë shumë më të rëndësishëm. Sigurisht, Evropa nuk ka asnjë zgjidhje për problemin.
Që të flasim për një Skoci dhe Katalonjë të pavarur në vitin 2017, do të dukej si diçka e papërshtatshme. Asnjë ekonomist nuk do ta shihte këtë si një diskutim racional. Njeriu ekonomik, siç parashikohet nga BE-ja, është mjerisht një shpjegim i pamjaftueshëm për atë që jemi sot. Kombet kanë rëndësi, pasi Evropa është thjesht një kontinent, dhe BE është vetëm një traktat.
Është një entitet i dobishëm dhe të qenit i dobishëm, është e vetmja gjë që e justifikon atë. Nëse e humbet dobinë, e humbet edhe legjitimitetin e tij. Dhe kjo gjithashtu do të thotë se kufijtë që ajo ka vendosur në atë që është e pranueshme, do të degradojnë dhe në fund zhduken. Si Katalonja ashtu edhe Skocia, kanë brenda tyre lëvizje serioze për pavarësinë. Ata duan të përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre, sepse e shohin veten si të dallueshëm, përkatësisht nga spanjollët dhe anglezët. Edhe nëse do t’i bashkoheshin BE-së me vete, vetë ideja e kombeve të vjetra evropiane që e rikonfirmojnë vetveten, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e kufijve siç u vizatuan në vitin 1945, e tmerron BE-në.
Në fakt, ajo duhet ta frikësojë Brukselin më shumë se sa Brexit. Pothuajse të gjitha kombet aktuale në Evropë, kanë mosmarrëveshje kufitare apo rajone që duan të jenë të pavarura. Për momentin, shumica e problematikave nuk janë shumë të zëshme. Por BE ka kthyer kokën nga Skocia dhe Katalonja. Dhe ajo e di mirë se ku të çojnë mosmarrëveshjet kufitare në Evropë.
Kur dhjetëra mijëra fëmijë evropianë u nisën në një Kryqëzatë për çlirimin e Jeruzalemit
Kur Stefani nga Cloyes i Francës dhe pasuesit e tij mbërritën në Paris në vitin 1212, qenë të lodhur, të uritur dhe të etur. Por asgjë nuk mund ta frenonte udhëheqësin e tyre nga misioni i tij i guximshëm. Rrethi i mbështetësve të tij, priti teksa Sfefani kërkoi dhe u pranua në një audiencë nga vetë Mbreti i Francës, për t’i kërkuar zyrtarisht leje për të kryer një kryqëzatë në Tokën e Shenjtë në Lindjen e Mesme.
Vizioni i Stefanit ishte madhështor: Bashkë me ndjekësit e tij, ai do t’i dëbonte myslimanët nga Jerusalemi dhe do të pushtonte Tokën e Shenjtë për katolikët. Por kishte diçka tjetër mbresëlënëse tek Stefani – ai qe vetëm 12 vjeç. Pasuesit e tij ishin gjithashtu fëmijë, të joshur nga familjet e tyre, si dhe predikimet e Stefanit për një vizion hyjnor që ai kishte pasur.
Ndonëse Mbreti Filip e refuzoi kërkesën e Stefanit, fëmijët qenë të paduruar. Të paarmatosur dhe të papërgatitur, ata ishin të vendosur të nisnin një Kryqëzatë të tyren. Por Kryqëzata e Fëmijëve e vitit 1212, siç njihet në ditët tona, ka hyrë në histori si një katastrofë e rëndë. Dhe megjithëse Stefani ishte një figurë historike e vërtetë, e vërteta që qëndron pas asaj Kryqëzate është më pak e qartë. A ndodhi ajo realisht? Dhe a qenë vërtet fëmijë shumica e luftëtarëve të saj?
Për këto dilema duhet fajësuar shkatërrimet që sollën shekujt e mëvonshëm. E ashtuquajtura Kryqëzata e Fëmijëve, përmendet shkurtimisht në kronikat e Kryqëzatave. Përderisa nuk u shpall asnjëherë zyrtarisht nga një Papë, teknikisht nuk duhet të quhet Kryqëzatë. Sidoqoftë, rritja e pazakontë e lëvizjes – dhe rënia e saj e tmerrshme – i dha asaj një pseudonim që e mban ende sot. Papa Urbani II, urdhëroi kryqëzatën e parë në vitin 1095, dhe luftërat fetare që e pasuan atë vareshin nga miratimi i Kishës.
Në kohë të ndryshme, Papët do t’u bënin thirrje besimtarëve evropianë të shkonin në Tokën e Shenjtë, dhe të përpiqeshin të largonin prej andej myslimanët, dhe këto kryqëzatat katolike të sanksionuara nga Kisha vazhduan deri në vitin 1400. Kryqëzata e Fëmijëve ishte e ndryshme. Ajo s’kishte miratimin e Kishës, lindi në mënyrë të pavarur, dhe pjesëmarrësit e tij nuk kishin as armë. Përkundrazi, ata bartnin me vete kryqe, parulla dhe një supozim optimist se sapo të mbërrinin në Tokën e Shenjtë, mund t’i konvertonin myslimanët në katolicizëm përmes bindjes me fjalë, dhe ndërhyrjes hyjnore.
Megjithëse kronikat e kohës japin informacione kontradiktore, duket se ka pasur dy grupime kryesore që morën pjesë në Kryqëzatën e Fëmijëve. Njëri ishte grupi i udhëhequr nga Stefani i Cloyes në Francë, si dhe një grupim tjetër aspirant për kryqtarë në Gjermani, të udhëhequr nga një djalë karizmatik i njohur si Nikola i Këlnit. Të dy thuhet se ndezën pasionet e mijëra të rinjve.
Në ngjarjet që janë përshkruar si një formë e histerisë masive, Stefani i Cloyes dhe të tjerë u nisën nga Marseja, duke synuar kalimin e detit Mesdheut për të shkuar në Tokën e Shenjtë. Ai mblodhi rreth 30.000 njerëz për kauzën e tij, megjithëse disa historianë kanë dyshime mbi këtë shifër, dhe thonë se shumë njerëz u grumbulluan për një kryqëzatë tjetër, apo thjesht u kthyen në shtëpi sapo dëgjuan predikimin e Stefanit.
Disa qëndruan, duke pritur që deti të çahej në mes sikurse kishte parashikuar Stefani. Në të njëjtën kohë, një grup besimtarësh u mblodhën në atë që sot është Gjermania. Nikola i Këlnit – për të cilin ka shumë pak informacion- mblodhi grupin e tij të pasuesve, duke pretenduar se një engjëll i ishte shfaqur për t’i thënë të fillonte një kryqëzatë.
Nikola thuhet se frymëzoi dhjetëra mijëra pasues, fëmijë dhe të rritur, të cilët filloi t’i udhëheqë përmes Alpeve drejt Jerusalemit. Jo të gjithë ishin entuziastë për këto kryqëzata të vetëshpallura. Ndonëse “sanctus puer” (fëmijët e shenjtë) ishin të motivuar nga zelli fetar, dhe shpesh kishin të njëjtin frymëzim si pjesëmarrës në kryqëzatat papale, ata u konsideruan si një kërcënim nga ana e Kishës.
Aftësia e këtyre djemve për të mbledhur këtë mbështetje të jashtëzakonshme – dhe numri i tyre i pasuesve – e tmerroi klerin vendas, që shqetësohej se po humbte grigjën e tyre të besimtarëve. Por megjithëse Nikola dhe Stefani ishin etiketuar si fanatikë, misioni i tyre mistik në Tokën e Shenjtë, i intrigonte ndjekësit e tyre. Ata kishin rreth vetes besimtarë të magjepsur nga predikimet, këngët dhe premtimet për mrekulli.
Djemtë ishin të aftë në zhytjen e ndjekësve në një dalldi fetare, por udhëtimet e tyre të njëkohshme drejt Jerusalemit, nuk ishin dhe aq të mirë-planifikuara. Ndërsa Nikola dhe grigja e tij e besimtarëve po u drejtoheshin Alpeve të akullta, duke kënduar himne dhe duke pritur me padurim konvertimin e myslimanëve, u lodhën dhe ishin të uritur.
Kur arritën në Xhenoa, Itali, ata u përballën me pengesën e mosnjohjes së gjuhës, dhe i mërzitën banorët e qytetit që nuk ishin dhe aq të etur për t’u marrë me një grup fëmijësh që ishin shndërruar në fetarë fanatikë. As populli i Marsejës, nuk qe i ngazëllyer të shihte kryqtarët e vegjël. Kryqezatat degraduan që atje. Nuk është e saktë se çfarë ndodhi me të gjithë kryqtarët, por duket se ata u shpërndanë pasi arritën në qytetet bregdetare.
Ndërsa prisnin që anijet t’i çonin në Jerusalem, disa flluan punë të ndryshme në zonë. Të tjerët u rikthyen në qytetet e tyre. Të tjerë akoma u shitën si skllevër apo u mbytën në det. Disa tregime thonë se një grup i vogël këmbënguli dhe nuk u drejtua drejt Jerusalemit por Romës. Por kur ata u shfaqën para Papa Innocentit III, ai nuk e pranoi kërkesën e tyre.
Papa e vlerësoi entuziazmin e tyre, por u tha se qenë shumë të rinj për të shkuar në një Kryqëzatë, teksa u kërkoi të ktheheshin në shtëpi. Kjo qe një goditje poshtëruese për ta. Megjithëse shënimet e shumta të kohës flasin mbi Stefanin dhe Nikolën, historianët ende nuk pajtohen mbi shumicën e veçorive të Kryqëzatës.
Në vitin 1977, Peter Raedts rivlerësoi kronikat e kohës, dhe arriti në përfundimin se pjesëmarrësit në Kryqëzatën e Fëmijëve, vinin nga shtresat më të margjinalizuara të shoqërisë. Ata mund të kenë besuar se u takonte njerëzve të varfër dhe të margjinalizuar, që të merrnin flamurin e Krishterimit pas dështimit të Kryqëzatave të para.
Raedts arriti në përfundimin se kryqtarët nuk qenë tamam fëmijë, por njerëz të varfër – një interpretim që e vë vërtet në dyshim emrin e lëvizjes. Dëshmitë mbi të ashtuquajturën Kryqëzatë e Fëmijëve, e bëjnë të vështirë pohimin apo mohimin nëse pjesëmarrësit ishin vërtet fëmijë, apo vetëm disa fshatarë të pafuqishëm. Por udhëtimi fatkeq tregoi, se si ndikimi i disa zërave bindës mund të nxisë një lëvizje të madhe, një lëvizje që përfundoi në poshtërim dhe katastrofë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce