Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), ka pranuar kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për hapjen e 108 kutive të votimit në Durrës. Numërimi i tyre do të bëhet ditën e nesërme në orën 10:00.
“Nisur nga analogjia e këtij rasti me rastin e Beratit dhe dakordësia e palëve, KAS vendos të pranojë kërkesën e LSI-së për rinumërimin e 108 kutive të votimit”, tha Koli Bele, drejtuesi i seancës së sotme.
Të gjitha përfaqësuesit e partive politike kanë rënë dakord për rinumërimin e këtyre kutive, ndaj edhe KAS e pati të lehtë të merrte një vendim të tillë.
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridian Salianji, u shpreh se ëhstë dakort për hapjen e kutive pasi PS nuk do që mandati i 8-të i fituar në zgjedhje të mbetet në dyshim.
“Që mandati i tetë të mos ngelet i dyshuar, ne jemi dakort që kutitë të happen dhe votat të rinumërohen, sepse jemi të bindur që rezultati nuk do të ndryshojë”, tha Eridian Salianji.
Ndërkohë, KAS ka rrëzuar kërkesën e PD për pavlefshmëri zgjedhjesh në qarkun e Durrësit. “Rrëzimin e kërkesës ankimore numër 37 të PD. Ky vendim është i ndërmjetëm dhe do të jetë pjesë e vendimit përfundimtar të KAS. Mund të bëhet ankim në Kolegj Zgjedhor”, tha anëtari i KAS.