I lindur në rajonin e Romanjës në fundin e shekullit XIX dhe vdekur në Rio de Zhaneiro në vitin 1949, Karlo (Çarls) Ponci nuk është në vetvete ndonjë figurë historike, që vlen të kujtohet për diçka me vlerë. Por skema mashtruese që ai praktikoi, hyri në histori me emrin e tij.
Për Karlo Pietro Xhovani Gulielmo Tebaldo Ponci n,nuk ka shumë informacione mbi jetën e hershme. Dhe ato pak që dihen, sot vijnë pothuajse gjithmonë nga intervistat që ai pasi u bë i famshëm. Por duke pasur prirjen për të gënjyer dhe mashtruar, ato nuk mund të konsiderohen gjithmonë të besueshme.
Dihet që ai lindi në Lugo, afër Ravenës, rreth vitit 1882 në një familje relativisht të “pasur”. Pasi punoi për pak kohë në zyrën postare, shkoi në Romë për të studiuar në Universitetin La Sapienza. Karlo nuk u diplomua kurrë.
“Në ato vite harxhoja shumë para. Isha në atë periudhë të pasigurt të jetës së një të riu, në të cilën shpenzimi i parave duket si gjëja më tërheqëse në botë”- do të deklaronte më vonë në një intervistë për “The New York Times”.
Kur sapo kishte mbushur të 20-at, Ponci ashtu si shumë bashkëmoshatarë të tij emigroi në Shtetet e Bashkuara, dhe arriti në Boston në nëntorin e vitit 1903. Për atë moment më vonë do të shprehej:”Siç më kujtohet gjithnjë, arrita në këtë vend me 2 dollarë e gjysmë dollarë në xhep dhe me 1 milion dollarë në ëndrra, dhe ato ëndrra nuk më braktisën asnjëherë!”.
Pasi mësoi pak gjuhën angleze, dhe pas një serie punësh të ndryshme, Ponci shkoi në Montreal të Kanadasë ku gjeti punë në “Banco Zarossi”, një bankë e themeluar nga italiani Luixhi Zarosi. Kjo bankë ishte e suksesshme pasi u premtonte klientëve, shumica e të cilëve kishin emigruar nga Italia, një normë shumë të lartë interesi, rreth 6 për qind.
Por në realitet, “Banco Zarossi” ishte në prag të falimentit, dhe në një moment të caktuar vetë Zarosi u arratis në Meksikë me një pjesë të mirë të parave. Ponci, që nuk dihet se deri në çfarë mase kishte dijeni mbi punët dhe problemet e bankës, mbeti në Kanada duke u kujdesur për familjen e bankierit.
Por disa muaj më vonë, ai u arrestua për falsifikimin e një çekut të njërit prej ish-klientëve të bankës. Kur përfundoi në burg, disa nga biografët thonë se i shkroi nënës së tij se ishte bërë “ndihmës special” i një gardiani burgu. Aty ai punoi si përkthyes, punë që do ta bënte sërish më vonë.
Pasi u lirua nga burgu, Ponci u mor me një seri punësh të tjera, duke përfunduar sërish në telashe. Në një rast për shkak të çështjeve në lidhje me emigracionin e paligjshëm të italianëve të tjerë. Në vitin 1918, ai u martua me Roza Neko, gjithashtu me origjinë italiane. Për një farë kohe punoi në dyqanin ushqimor të familjes së saj. Pastaj u përpoq të merrej me diçka tjetër.
Në atë kohë u përpoq të krijonte një lloj katalogu të bizneseve, për t’ua shitur atyre që ishin të interesuar të bënin, me një parim të ngjashëm me atë të guidave të sotme. Ajo ide nuk ishte e suksesshme. Por sipas asaj që tregoi më vonë, Poncit i bëri përshtypje një detaj nga një letër që mori nga Spanja.
Letra, shoqërohej nga një kupon ndërkombëtare, që në Shtetet e Bashkuara mund të shkëmbehej me një pullë postare. Pra nga Spanja, një person mund të dërgonte një letër në Shtetet e Bashkuara, përfshirë një kupon zyrtar që mund të shkëmbehej nga marrësi me një pullë postare amerikane të mjaftueshme për të kthyer përgjigjen në Spanjë.
Ponci e kuptoi që në disa raste kuponë të tillë, kishin një kosto më të ulët, sesa pullat me të cilat mund të shkëmbeheshin. I tillë ishte rasti në Spanjë, ku kostoja e jetesës ishte më e ulët se sa në Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, shuma e investuar në bono në disa vende mund të rritej duke mbledhur pulla amerikane me një vlerë të përgjithshme më të lartë.
Në teori, ideja ishte e drejtë dhe madje jo e paligjshme, edhe pse në shumë aspekte thuajse jo praktike. Pra Ponci mendoi se mund të fitonte shumë para, ndaj filloi të fliste për këtë gjë edhe me njerëz të tjerë, për t’i bindur ata të bënin të njëjtën gjë.
Në janarin e vitit 1920 Ponci, që përpara se të kërkonte para nga njerëzit e tjerë, ishte përpjekur pa sukses të merrte një kredi bankare, themeloi një kompani për këtë lloj investimi “Kompania e Shkëmbimit të Letrave me Vlerë”, që premtonte brenda 45 ditësh 50 për qind fitim mbi investimin fillestar.
Në praktikë, Poncit i ranë në duar parave të njerëzve të tjerë, që kishin investuar mbi idenë e tij. Por ai e kishte kuptuar që ajo nuk funksiononte vërtet, edhe për shkak të pengesave praktike dhe burokratike. Sigurisht që skema nuk funksionoi me përmasat dhe potencialin e fitimit që premtoi italiani.
Ndoshta bazuar në praktika të caktuara të mësuara në ”Banco Zarossi”, ai vendosi më pas të krijonte atë që më vonë do të bëhej e njohur si ”Skema Ponci’:Do të përdorte paratë e investitorëve të rinj, për të paguar investitorët e vjetër.
Një praktikë, që mund të funksionojë deri në një pikë të caktuar, dhe gjithmonë me kushtin që të ketë gjithmonë investitorë të rinj, dhe në një numër gjithnjë e më të madh. Nuk ishte ndonjë ide shumë e re (në SHBA praktika ishte e njohur edhe si “Grabit Pjetrin, për të paguar Palin). Por në fillim funksionoi shumë mirë.
Pak më shumë se 1.6 metra i gjatë, dhe shumë i vëmendshëm ndaj mënyrës së veshjes, Ponci kishte një aftësi të shkëlqyer retorike dhe karizëm, gjë që i dha mundësi të bindte shumë njerëz të investonin në biznesin e tij. Në fillim ata ishin kryesisht emigrantë të tjerë italianë, por më pas mbërritën edhe lloje të tjerë investitorësh, disa prej tyre me shuma tepër të mëdha.
Më shumë se gjysma e policëve të Bostonit, përfunduan duke investuar në kompaninë e Poncit, duke mos qenë në dijeni të mashtrimit. Në verën e vitit 1920, Karlo Ponci u bë milioner. Ai hapi një seri llogarish bankare, bleu një makinë të shtrenjtë “Locomobile”, dhe një vilë të madhe me pishinë.
Ai ishte gati çdo ditë në faqen e parë të çdo gazete në Boston. Por gjërat ndryshuan shumë shpejt. Në ditët e fundit të korrikut të atij viti, shumë njerëz e kuptuan se ishin mashtruar. Që skema të funksiononte, dhe që të shlyheshin investitorët, duheshin mbi 150 milion kupona. Ndërkohë në fakt kishte vetëm disa dhjetëra mijëra.
Por edhe përtej kësaj, u kuptua se ai lloj investimi, me ato fitime dhe ato shuma, nuk mund të funksiononte kurrë. Gazetat nisën të raportonin mbi problemet e mëparshme të Poncit me drejtësinë ndërsa Kelvin Kulixh, që më vonë do të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, dhe në atë kohë ishte guvernator i Masaçusetsit, kërkoi nisjen e një hetimi mbi aktivitetet e tij.
Për t’i paraprirë arrestimi i tij, Ponci u vetë-dorëzua në polici, dhe në nëntor 1920 u gjykua për dhjetëra akuza, duke u dënuar në fund me 5 vjet burg. Vlerësohet se në ato pak muaj, ai kishte grumbulluar të paktën 15 milion dollarë, të barabarta me të paktën 200 milion me kursin e sotëm.
Ai u lirua 3 vite gjysmë më vonë. Por gjatë gjithë viteve 1920, vazhdoi të kishte probleme me drejtësinë për shkak të “skemës” e tij, madje një nga proceset arriti deri në Gjykatën e Lartë të SHBA-së. Ponci që ndërkohë ishte përfshirë në veprimtari të tjera mashtruese, u përpoq të kthehej në Itali me një identitet të rremë.
Por u ndalua në port, pasi ia tregoi të vërtetën dikujt, që më pas ua tha të tjerëve. Gjithsesi ai u dëbua në Itali në vitin 1934, menjëherë pas lirimit të tij të ri nga burgu. Nuk ka shumë informacione se çfarë bëri Ponci në vendlindje.
Por duket se ai përfundoi në Brazil për shkak të një pune që kishte të bënte me kompaninë ajrore “Ala Littoria”, të cilën e humbi kur nisi Lufta e Dytë Botërore. Vdiq pas një goditje në tru në vitin 1948, pas viteve të tëra jetese në varfëri.
Burimi i lajmit: https://www.ilpost.it/2021/04/15/charles-ponzi-schema/
Përshtatur nga TIRANA TODAY