“Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht, siç u kërkua nga ministrat e Jashtëm të BE më 28 qershor të vitit 2018”, kjo ishte deklarata e grupit parlamentar CDU/CSU e bërë një ditë më parë. Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj i ftuar në emisionin “Java”, ka komentuar këtë deklaratë dhe tha se ka kontradikta nga vendet anëtare.
Cakaj shtoi se grupe të caktuara kanë të drejtë të kenë kritika për qeverinë, duke shtuar se detyra e tyre është t’i përgjigjen me fakte.
“Përkundër mënyrës se si ka shkuar vendimi në fund, 25 vende në vitin e kaluar kanë qenë në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë, kjo tregon se është rritur besimi te reformat e Shqipërisë. E njëjta klimë është edhe sot. Ka kontradikta nga vendet anëtare. Grupacione të caktuara kanë të drejtë të kenë rezerva për Shqipërinë dhe kritika për qeverinë, por ne na takon që t’i përgjigjemi me fakte”, tha Cakaj.
Sa i përket sjelljes së opozitës dhe impaktit të saj në procesin e hapjes së negociatave, Cakaj, duke cituar tre fakte të përmendura nga Komisioni Europian, tha se sjellja e tyre politike nuk i kontribuon vendit dhe gjasave për hapjen e negociatave.
“Komisioni Europain përmend tre fakte: ‘Opozita duhet të riangazhohet në procese demokratike’. Kjo lë të kuptohet se ajo ka pushuar së qenëri demokratike. Elementi i dytë: ‘Qeveria duhet të sigurojë mundësin e pjesëmarrjes së opozitës në procesin e zgjedhjes’. Kjo do të thotë se nuk i takon qeverisë të sigurojë pjesëmarrjen e tyre. E treta: ‘Përkundër sjelljes së qeverisë, sjellja e opozitës e ka dëmtuar procesin zgjedhor’. Një sjellje e tillë politike, nuk i kontribuon imazhit të Shqipërisë dhe gjasave për hapjen e negociatave”, u shpreh Cakaj.