Prokuroria e Hagës ngriti zyrtarisht një sërë akuzash për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin. Dy drejtuesit akuzohen për krime lufte, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Lidhur me këtë çështje, një reagim është përcjellë nga ana e avokatit Spartak Ngjela.
Ai bën një paralelizëm edhe me situatën në Tiranë. Aktualisht në Tiranë po vijon reforma antikorrupsion. Ngjela parashtron pyetjen: çfarë do të bëjë SPAK -u në Tiranë, a do të fillojë akuzat penale kundër të korruptuarve të mëdhenj pushtetarë dhe ish-pushtetarë shqiptarë? Po kështu, avokati Spartak Ngjela kërkon të dijë: a ka lidhje të koordinuar midis Gjykatës Speciale të Hagës dhe SPAK-ut të Tiranës?
Ngjela, në vijim të analizës së tij shton se të dy presidentët Meta dhe Thaçi nuk janë të ‘pastër’. Po sipas tij, janë edhe disa kryeministra e ministra në Tiranë që akuzohen nga reforma antikorrupsion.
Nga Prokuroria Speciale e Hagës, u godit presidenti Hashim Thaçi. “Por shenjat janë, që, në funksion të korrupsionit, kuptohet se në këtë akt është goditur edhe aleati i Thaçit në Tiranë, presidenti Ilir Meta”, shkruan më tej ai në Facebook.
Statusi
Lufta kundër korrupsionit në Prishtinë dhe në Tiranë doli befas në një shkallë më të lartë, dhe në një regjistër penal me përmbajtje të veçantë:
Prokuroria Speciale pranë Gjykatës Speciale e Hagës ngriti akuzë direkte për 100 krime të kryera; akuzë kjo kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi; dhe kundër ish kryeministrit Veseli.
Thaçi u tërhoq nga bisedimet me Serbinë, të paracaktuara në Uashington për në datën 27 qershor të këtij viti.
Momentalisht në Tiranë po vijon reforma antikorrupsion. Në këtë kohë, mbas Prokurorisë Speciale në Hagë, pyetja që ngrihet është: çfarë do të bëjë SPAK -u në Tiranë, a do të fillojë akuzat penale kundër të korruptuarve të mëdhenj pushtetarë dhe ish pushtetarë shqiptarë?
Por, pikërisht këtu na del sërish një pyetje: a ka lidhje të koordinuar midis Gjykatës Speciale të Hagës dhe SPAK-ut të Tiranës?
Shenjat janë që po duket se ka lidhje direkte midis Gjykatës Speciale në Hagë dhe Gjykatës së Posaçme antikorrupsion në Tiranë. Por, cila është lidhja?
l.
Thirrja nën akuzë e Hashim Thaçit ndodhi vetëm disa ditë para sesa të fillonte takimi Kosovë – Serbi që do të mbahet në Uashington nën drejtimin e politikës amerikane. Ndërkohë presidenti i Kosovës Thaçi dha dorëheqjen nga takimi si pjesëtar i delegacionit shqiptar. Këtë dorëheqje e deklaroi edhe kryeministri i Kosovës Hoti. Por politika e lartë amerikane tha se takimi i 27 qershorit do të kryhet. Të shohim.
A janë të lidhura këto dy akte? Fakti që politika amerikane u përgjigj menjëherë se “takimi do të mbahet” të jep të kuptuar se ka pasur një farë lidhjeje të shkurtër. Kurse në interes të Kosovës, na duhet të theksojmë se tani, nuk ka më një delegacioni të gatshëm për në Uashington. Atëherë, çfarë po ndodh?
Asgjë, historia e keqe e Shqipërisë po përsërit vetveten, sepse sot, si në njëqind vjet, shqiptarët në Kosovë ashtu si edhe në Shqipëri, janë të pushtuar nga lider të korruptuar të cilët kanë ndaluar zhvillimin dhe janë antikombëtarë në thelbin e tyre politik. Goditja penale e Thaçit kuptohet se ka më shumë lidhje me korrupsionin në lidershipin politik të Kosovës, së sa me krimet e luftës. Kjo është arsyeja e vërtëtë pse pikërisht në këtë kohë hyri në lojë akuza penale kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Cili është komenti specifik i Brukselit për këtë arrest? Brukseli theksoi se gjithçka e nisur nga institucioni i akuzës i pavarur në Hagë, ka në thelb “sundimin e ligjit në Kosovë”. Po Uashingtoni? Ky u shpreh menjëherë se takimi i Uashingtonit, i caktuar për në datën 27 qershor të këtij viti, do të mbahet rregullisht. Atëherë kush do të shkojë në Uadhington. Të shohim çfarë do të vendosë Parlamenti i Kosovës, por edhe Shtëpia e Bardhë.
Megjithatë, logjika shkon drejt arsyetimit se thelbi i kësaj lufte është denigrimin ligjor i korrupsionit në Prishtinë dhe në Tiranë.
ll.
Të dy shtetet shqiptarë të Ballkanit Perëndimor drejtohen nga korrupsioni. Dhe ky është fakt që provon mungesën e zhvillimit dhe varfërinë shqiptare. Nga korrupsioni i lartë shtetëror të të dy shteteve, të dyja shoqërive shqiptare u janë vjedhë miliarda euro, dhe ky është edhe fakti më domethënës i varfërisë shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Është shkatërruar tregu i lirë në Prishtinë dhe në Tiranë, dhe grupi i liderëve të korruptuar që ndërrojnë vendet në drejtimin politik të të dy shteteve, nuk e kanë lejuar bashkimin ekonomik shqiptar që të funksionojë në një treg të përbashkët Shqipëri – Kosovë.
Korrupsioni i të dy vendeve ka sabotuar me qëllim bashkimin institucional të të dy shteteve shqiptarë. Kjo sepse, korrupsioni i lartë shtetëror në Prishtinë dhe në Tiranë është me Beogradin dhe Moskën.
Sot konkretisht, janë dy presidentë Meta dhe Thaçi që akuzohen njëri nga reforma antikorrupsion në Tiranë dhe tjetri nga Prokuroria Speciale e Hagës. Por janë edhe disa kryeministra e ministra në Tiranë që akuzohen nga reforma antikorrupsion dhe që shohin me shpresë nga Moska e nga Beogradi, dhe që, ndërkohë, janë vendosur kundër procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në këto momente, nga Prokuroria Speciale e Hagës u godit presidenti Hashim Thaçi.
Por shenjat janë, që, në funksion të korrupsionit, kuptohet se në këtë akt është goditur edhe aleati i Thaçit në Tiranë, presidenti Ilir Meta. Korrupsioni shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë është bërë bllok kundër zhvillimit shqiptar. Por më specifikët janë Ilir Meta dhe Hashim Thaçi. Kurse, para disa orësh në Parlament, u pa i trembur edhe kryeministri aktual Edi Rama.
Por, më duhet të them se sot dallojnë që realisht u hapën të dy proceset antikorrupsion edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë.
lll.
Historia na ka dhënë të vërtetën apodiktike se, korrupsioni njëqindvjeçar në Tiranë ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me shitjen e interesit kombëtar. Po kjo, realisht u shfaq edhe në politikën e lartë në Kosovës, si një inerci e sëmundjes së vjetër shqiptare.
Korrupsioni i lartë politik në Tiranë, deri në vitin 1945, ka shitur territoret shqiptarë drejt Serbisë dhe Greqisë.
Vërtet që ka pasur një Luftë Nacional Çlirimtare antifashiste në Shqipëri, por, duke ardhur në pushtet, këta çlirimtare vendosën në Shqipëri sistemin politik të terrorit shtetëror.
E njëjta gjë pamë se ndodhi edhe në Kosovë: vërtet pati edhe aty një Luftë Çlirimtare, por krerët e saj në pushtet degraduan në korrupsion antishqiptar.
Dhe, për simetri historike, edhe në shtetin e ri shqiptar të Kosovës shenjat janë që, pushtetarët e korruptuar, tentuan të shisnin veriun e Kosovës, ashtu si çlirimtarët e Shqipërisë në vitin 1945 që shitën veriun e Shqipërisë.
Kurse sot, me thirrjen nën arrest të Thaçit dhe Veselit, nga Tribunali i Hagës, gjithçka u barazuar: korrupsioni i lartë në Kosovë u godit me akuza krimesh të ngritura ndërkombëtarisht. Kurse politika perëndimore u shpreh për sundimin e ligjit. Kjo do të thotë që Brukseli dhe Berlini këtë akt e sheh si procesin e sundimit të ligjit në Kosovë. Në një kohë që po pritet takimi i caktuar dhe shumë i rëndësishëm i Uashingtonit midis Kosovës dhe Serbisë, nën drejtimin e politikës amerikane. Por, a do të kryhet ky takim?
Të shohim. Interlokutori antishqiptar u kërkua të arrestohet. Por nuk është vetëm ky president, se shenjat po duken se në të njëjtën rrugë do të kalojë edhe presidenti shqiptar Ilir Meta, por ky nga akuza për shkelje të kushtetutës, dhe gjasat janë që mund të ketë edhe një akuzë me karakter ndërkombëtar.
lV.
A mos është ngjarja e re e Kosovës një shenjë pozitive për kthimin e sundimit të ligjit në Shqipëri dhe në Kosovë?
Ne mendojmë se kjo është një shenjë pozitive në ecurinë e demokracisë ligjore në Shqipëri dhe në Kosovë.
E gjithë elita intelektuale e Kosovës nuk ka më dyshim, por është e sigurt se Hashim Thaçi në bisedimet me presidentin serb Vuçiç ka ceduar në dorëzimin e veriut të Kosovës Serbisë. Por që gjithçka u anulluar nga forca e opinionit publik në Kosovë.
I gjithë opinioni publik shqiptar është i sigurt për korrupsionin e pafre të Ilir Metës, dhe të gjithë po presin shkarkimin e tij dhe fillimin e akuzave për korrupsion.
Kjo sigurisht është lidhja me karakter të drejtëpërdrejtë historike midis dy korrupsioneve të spikatur në Prishtinë dhe në Tiranë. Gjithsesi duhet pritur me pyetjen: po SPAK – u a do të veprojë në Tiranë si Haga në Prishtinë për të korruptuarit e nivelit të lartë?