Anna e cila u bë e famshme për shkak të vjedhjes së një karburanti dhe dy tentativave të tjera të dështuara së bashku me kushëririn e saj, ka thelluar edhe më shumë hetimet nga ana e policisë. Prindërit e saj kanë një vilë tre katëshe, duke lënë përshtypjen se ajo nuk ka probleme me anën ekonomike.
Anna Malaj është nga fshati Viskovë i Mallakastrës. Ajo ka një vëlla nga martesa e parë e të atit dhe më tej, pas martesës së dytë të tij me nënën e saj, kanë lindur tri vajza. Prindërit e saj, Laver dhe Shqiponja Malaj, jetojnë prej disa vitesh në Greqi. Në fshatin e tyre, ata kanë ndërtuar një vilë, ç’ka nuk të jep përshtypjen e një familjeje me nevoja ekonomike.
Kaq ka mjaftuar që policia të ngrejë hije dyshimi se Anna mund të jetë e përfshirë në veprimtari të ngjashme edhe në shtetin grek. Për këtë arsye, i është kërkuar bashkëpunim policisë së këtij vendi, për të marrë informacion nëse 31-vjeçarja ka precedentë në këtë shtet. Ajo jetonte së fundmi në Mallakastër dhe kishte marrë me vete djalin 13-vjeçar.
Ndërsa vajzën një vit më të madhe, e kishte lënë te prindërit e saj në Greqi. Rreth një vit më parë mësohet se ajo ka bashkëjetuar me një shqiptar të Kosovës, në Gjermani. Por për rrethana ende të paqarta, ajo u largua edhe nga ky shtet, duke bërë një jetesë tranzitore mes Shqipërisë e Greqisë. Ndërkohë, djali i tezës së saj, Emiljano Grëmbi, është fëmija i tretë i çiftit Kamber dhe Fetije Grembi. Ai jetonte së bashku me prindërit, vëllezërit, nusen dhe djalin e mitur.
Gjykata në Fier caktoi dje masën “arrest me burg” për Anna Malajn dhe Emiljano Grembin, të cilët akuzohen për grabitje të pikave të karburantit.
Anna Malaj dhe Emiljano Grembi akuzohen si autorët e grabitjes së karburantit në Levan dhe tentativës për grabitje të dy karburanteve të tjerë në Fier dhe Mallakastër.