Në një takim me të rinjtë e LRI në Jalë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dha mesazhe të qarta për politikën. Në fjalën e saj, Kryemadhi u shpreh se në 6 shtator, LSI bëhet 15 vjeç. Para të rinjve, ajo tha se këto kanë qenë ditë të vështira për politikën shqiptare, duke mos lënë pas edhe LSI-në.
“Jemi rrëzuar, jemi ngritur”, tha më tej Kryemadhi, duke përçuar mesazhin se LSI theu monopolin e dy partive të mëdha. Po kështu, kryetarja e LSI-së inkurajoi të rinjtë që asnjëherë të mos ndalen, por të luftojnë për të qenë lidera.
Sipas saj, lider është ai që u fal dashuri shokëve, sakrifikon nga vetja për shoqërinë, për grupin. Duke vënë në dukje krizën politike, Kryemadhi u kërkoi të rinjve që të marrin përgjegjësinë, për të ndryshuar këtë realitet.
“Kjo është dita e parë. Do të kemi edhe ditë të tjera. Këtë vit LSI është shtuar, sidomos me vajza, thonë se është edhe bereqet. Kjo është LSI. Lëvizja Socialiste për Integrim është partia që arriti që të hyjë mes dy partive që bënin kungullesha me njëra-tjetrën. LSI ishte ajo parti, e cila përfaqësonte ata njerëz që ishin mësues, ish-oficerë, familje normale dhe intelektuale shqiptare. Më 6 shtator, LSI-ja bëhet 15 vjeç. LSI theu monopolin e dy partive të mëdha. Ne u rritëm me hapa të përditshëm. Kemi kaluar momente dhe sfida të vështira. Lider është ai që sakrifikon nga vetja për shoqërinë dhe grupin. Ky ka qenë misioni i kampit të LSI. Ne kampin e LSI e përmirësuam edhe më tej. Është puna në grup ajo që i jep shansin dhe mundësive njerëzve”, tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se është përgjegjësia e rinisë që të ndryshojë realitetin. “Këto ditë kanë qenë ditë të vështira për LSI, për PD, për opozitën, për qeverinë, institucionet. Por ta dini se më shumë po vuajnë shqiptarët. Ne dhe ju si të rinj keni përgjegjësi për të ndryshuar gjendjen. Kjo që po bëjmë është përballë krimit të organizuar ndërkombëtar. Sigurisht që sfida është shumë e vështirë, por forca, idealizmi juaj është shumë më i fortë sesa makutëria e qeverisjes sonë”, deklaroi Kryemadhi.