Italia po përjeton një situatë kritike si pasojë e COVID-19. Në 24 orët e fundit, vendi fqinj konfirmoi 5.456 raste pozitive, si dhe 26 viktima. Ekspertët e Komitetit Teknik Shkencor në vend, u mblodhën për të diskutuar rreth masave që do të merren për të përmbajtur përhapjen e koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë në Itali, Roberto Speranza, ka propozuar që të gjitha festat të jenë të ndaluara, përfshirë këtu edhe ato që bëhen privatisht nëpër shtëpi.
Raportohet se kanë ndryshuar rregullat për karantinën e cila nga 14 reduktohet në 10 ditë. Veç kësaj, për t’u shpallur negativ për Covid-19 do të mjaftojë vetëm një tampon.
Po ashtu, autoritetet e Shëndetit në vend deri më tani kanë theksuar se nuk do të ketë një karantinë kombëtare të dytë.
“Asnjë karantinë kombëtare, vetëm rregulla më kufizuese nga rajonet”. “Nuk ka kushte për asnjë izolim kombëtar, për asnjë territor”, tha Speranza.
Komiteti Shkencor dhe Teknik, po merr parasysh mundësinë që të shkurtojë numrin e tifozëve në stadium. Autoritetet po rimendojnë për reduktimin e numrit të tifozëve në stadiume nga 1000 në 500.