Shteti fqinj Italia është përfshirë në një debat të zjarrtë mbi përdorimin e burkës në vende publike nga vajzat dhe gratë. Fillimisht norma ligjore për ndalimin e burkës është iniciuar nga Rajoni i Lombardisë dhe mësohet se kjo normativë është pranuar nga Gjykata italiane e Apelit.
Debati për këtë çështje e ka zanafillinë në vitin 2015. Normativa u aprovua para 4 vitesh dhe prej atij viti vijon të jetë një çështje e gjykatës. Kjo pasi disa organizata të drejtave të njeriut e paditën në gjykatë si ligj diskriminues. Ligji ka ngjallur dhe debate të forta publike, pro dhe kundër kësaj çështje.
Vendimi i marrë sot nga Gjykata e Apelit konfirmon vendimin e marrë më 2017 nga Gjykata e Milanos, e cila pranoi normativën. Trupa gjykuese e ka konsideruar të justifikuar e të arsyeshëm për të identifikuar personat në vendet publike. Sipas tyre këto vende çdo ditë popullohen nga një numër i lartë njerëzish të cilëve u ofrojnë shërbime.
Sipas Alsat, çdokush që do të hyjë me kokën e mbuluar nga vello islamike në një strukturë publike të varur nga Rajoni i Lombardisë, nuk do të pranohet pa zbuluar kokën.
Guvernatori i rajonit të Lombardisë, është shprehur mbi këtë çështje se “Përdorimi i burkës islamike në një vend të shërbimit publik është njësoj sikur të hysh në të me kaskë ne kokë”.