Ndërtesa antike në Itali, Koloseu do të rinovohet. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Kulturën dhe i Trashëgimisë në Itali, Dario Franceschini, i cili tha se do të restaurohet vetëm pjesa e dyshemesë së tij, për ta kthyer atë në një arenë të madhe ku mund të zhvillohen projekte të ndryshme.
Mediat italiane shkruajnë se projekti do të ketë një buxhet prej 18.5 milion euro dhe puna është parashikuar të nisë vitin tjetër. Ministri Franceschini ka kërkuar një kusht të rëndësishëm për fituesin e kësaj gare të hapur, që i gjithë ndërtimi të jetë hermetik dhe të mos depërtojë uji.
Franceschini tha gjithashtu se në këtë skenë që pas rindërtimit të dyshemesë, priten të mbahen teatro, koncerte dhe evente kulturore.
“Do të jetë një ndërhyrje e madhe teknologjike që do t’u ofrojë vizitorëve mundësinë për të parë jo vetëm nëntokën, si sot, por për të soditur bukurinë e Koloseut nga qendra e arenës”, ka thënë ai.