Instituti i Shëndetit Publik zbulon shkakun që i mori jetën policit të Rrugores në Tiranë, Mariglen Mestani në moshën 27-vjeçare. Drejtoresha e ISHP, Silva Bino, tha se polici ishte prekur nga meningjiti, një infeksion i rëndë që ka një evolucion tepër të shpejtë dhe është fatal. Sipas Binos, personat qe kane pasur kontakt me policin, jane trajtuar me antibiotik. Ajo shtoi më tej se kjo është një sëmundje e transmetueshme. Lidhur me personat që kishin kontakt me 27-vjeçarin, Silva Bino shtoi se nuk ka vend për panik, pasi kanë marrë antibiotikët.
“Është infeksion i rëndë, fatal, që ka një evolucion tepër të shpejtë. Është një sëmundje e transmetueshme dhe për personat që kontaktojnë, janë marrë masat e duhura. Nuk ka rrezik, pasi të gjithë personat që kishin kontakt me personin e prekur, kanë marrë antibiotikët. Kemi vetëm një rast të evidentuar. Rasti i Durrësit nuk ka dyshim për sëmundje të tillë. Mostrat po analizohen, duhet të presim rezultatin dhe të themi të vërtetën”, tha Bino.
“E vetmja këshillë për qytetarët është se Instituti po monitoron situatën. Jemi në sezon gripi, por kemi një intensitet të ulët gripi, kur kanë temperatura të larta mos të neglizhojmë por të konsultohen me mjekët e familjes”, tha ajo.