Avokati i kontrollorëve të Albcontrol, Rezart Kthupi, mohoi faktin se punonjësit janë futur në një grevë.
I ftuar në emisionin “Open”, Kthupi tha se kjo situatë që ka ardhur në këtë gradë, ka nisur me vetëm dy kontrollorë dhe më pas aty u janë bashkuar edhe të tjerët.
Rezart Kthupi: “Ishin dy kontrollorë. Ata paraqiten fillimisht letrat dhe kanë kërkuar periudhë rikuperimi. Pasi paraqitën dokumentet, u kërkuar që të bëhej menjëherë shkëputja e tyre nga puna dhe për mendimin tim ishte totalisht pa të drejtë. U kërkua që tu zgjidhej kontrata e punës. Më pas, duke e parë sa e padrejtë ishte kjo situatë, u bashkuan edhe të tjerët.”
Shqipëria i ka të mbyllura të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse nga Rinasi për një afat të pacaktuar. Kjo për shkak se 65 kontrollorët e Albcontrol, një kompani me kapital 100% shtetërore, refuzuan të dilnin në punë pasi firmosën edhe deklaratën e paaftësisë në punë.
Ata kërkojnë që paga e tyre të vazhdojë si përpara pandemisë në mbi 4 mijë dollarë dhe për këtë kërkojnë ndërhyrjen e ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Greva e kontrollorëve të Albcontrol në aeroportin e Rinasit, ka rizgjuar dhe debatin politik në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Rama e ka akuzuar Metën si iniciator të grevës së kontrollorëve, së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha.